Kryesindikalisti i arsimit, Rrahman Jasharaj, në këtë fillim viti shkollor pati deklaruar se mësimi do të fillojë në afat kohor, mirëpo nuk përjashtoi faktin se mund të ketë veprime sindikale në fund të shtatorit
Në lidhje me këtë Kryesindikalisti Jasharaj është deklaruar për Front Online, ku ka njoftuar se SBASHK po angazhohet në mbledhjen e nënshkrimeve nga punonjësit e arsimit dhe qytetarët për një iniciativë qytetare që lidhet me ligjin për skemat pensionale. Ai theksoi se ndryshimet e fundit në ligj kanë ndikuar negativisht tek punëtorët e arsimit të viteve ’90, duke i konsideruar padrejtësisht kontributet e tyre si numra dhe jo si pagesa për shërbimin e tyre.
“Për momentin jemi duke u marrë me dy angazhime kryesore, jemi duke mbledhur nënshkrime nga të punësuarit në arsim dhe nga qytetarët për një iniciativë qytetare që ka të bëjë me ligjin për skemat pensionale, ngase me ndryshimet që janë bërë janë ndëshkuar padrejtësisht punëtorët e arsimit të viteve të 90-ta”, tha Jasharaj për FrontOnline.
Përveç kësaj, Jasharaj njoftoi se është përfunduar drafti i ri i kontratës kolektive për arsim, i cili tashmë është dërguar për diskutim publik për të marrë mendime nga terreni.
“Nga ana tjetër një komision tjetër e ka punuar draftin e kontratës së re kolektive për arsim dhe e kemi dërguar në diskutim publik për të marrë mendime nga terreni”, deklaroi Jasharaj.
Jasharaj kërkoi gjithashtu një përgjigje nga kryeministri Kurti për ngritjen e koeficientit të pagave, duke kritikuar sistemin aktual që e vlerëson shërbimin në 0,25 për 15 vitet e para dhe 0,5 për vitet pasuese. Ai e quajti këtë një padrejtësi dhe kërkoi rishikimin e këtyre vlerësimeve.
“Nga ana tjetër jemi në pritje sepse i kemi dërguar shkresë kryeministrit Kurti dhe Arbërie Nagavcit për ngritjen e së paku 30% të koeficientit dhe për tu larguar një padrejtësi që është bërë me ligjin e pagave te vitet e shërbimit ngase 15 vitet e para vlerën e kanë caktuar 0,25 dhe vitet e tjera astaj 0,5 dhe presim që të kthehet edhe kjo, e tani në javën e fundit të shtatorit do të kemi këshillin drejtues për të raportuar”, tha kryesindikalisti Jasharaj.
Në përfundim, ai shprehu shpresën për dialog dhe arritje, por nënvizoi se Këshilli Drejtues ka autoritetin të vendosë për veprime sindikale nëse situata e kërkon. Jasharaj theksoi rëndësinë e vlerësimit të punës së bërë deri tani dhe angazhimin e sindikatës për të mbrojtur të drejtat e punonjësve të arsimit.
“Uroj që të ketë edhe arritje, uroj që të ketë dialog por i mbetet këshillit drejtues të vlerësojë çfarë është bërë dhe çfarë nuk është bërë që të vendos tutje.
Unë si kryetar nuk mund të përjashtoj se këshilli drejtues varësisht nga situatat e krijuara mund të kërkojë edhe veprime sindikale dhe unë atë që e kam thënë çdo herë cilindo vendim që e sjell Këshilli Drejtues që është organi më i lartë mes dy kongreseve do të veprojë bashkë me nivelin qendror”, përfundoi Jasharaj.