Ekonomia e Kosovës është ndër më të goditurat në rajon nga pandemia COVID-19. Derisa për një kohë të gjatë vendi ka shënuar rritje ekonomike mesatare prej 4%, vitin e kaluar Kosova për herë të parë ka pasur rënie ekonomike prej 7%.
Për shkak të pandemisë, shumë biznese kanë raportuar se u është vështirësuar operimi. Madje qindra sosh janë mbyllur, me ç’rast është raportuar se shumë punëtorë kanë humbur vendet e tyre të punës.
Këtë vit si pasojë e pandemisë BSPK-ja do të ketë si aktivitet vetëm një tryezë pune.
“Nuk mundemi që ta organizojmë një protestë masive për të drejtat e punëtorëve, por me 30 (prill) kemi vendosur që në kemi një tryezë me sindikatat anëtare”, ka treguar kryetari i BSPK-së, Avni Ajdini për Front Online.
Pandemia ka shkaktuar dëme ekonomike në pothuaj gjithë sektorët e ekonomisë por gastronomia hoteleria po ashtu edhe ndërtimtaria kanë qenë më të prekurit.
“Sa i përket pandemisë në anën ekonomike na ka dëmtuar mjaft në sektorin privat, në ndërtimtari edhe sektorin e gastronomisë por edhe sektorin e hotelerisë.
Këtu kemi një humbje të ekonomisë kemi një rënie të ekonomisë dhe një ngritje të papunësisë”, ka thënë ai.
Dita e Punës, ose Festa e Punëtorëve, organizohet më 1 maj të çdo viti, e cila synon të kujtojë angazhimin e lëvizjeve sindikale dhe vështrimin ekonomik-social të punëtorëve.
Pandemia goditi keq Kosovën, por s’ka protestë nga BSPK-ja për “1 Maj”