Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, i shoqëruar nga kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kujtim Munishi, ka pritur në takim shefen e Zyrës së UN Women në Kosovë, Vlora Nushi.
Diskutimi i çështjeve të përbashkëta lidhur me data-bazën e integruar ndër-institucionale për rastet e dhunës në familje, trajtimi i rasteve të dhunës seksuale dhe viktimave të dhunës seksuale, koordinimi i institucioneve të sundimit të ligjit, krijimi i një mekanizmi për nxjerrjen e raporteve analitike për rastet e dhunës në familje, si dhe thëllimi i bashkëpunimit të ndërsjellë ishin në fokus të takimit.
Përfaqësuesit e UN Women vlerësuan lart aplikimin e data-bazës për rastet e dhunës në familje nga institucionet e zbatimit të ligjit, duke konstatuar se në këtë aspekt Kosova është shembull i mirë në rajon dhe më gjerë.
Në anën tjetër, kryeprokurori Lumezi ka theksuar faktin se Prokurori i Shtetit mbetet i përkushtuar për trajtimin me prioritet të të gjitha rasteve të dhunës në familje dhe dhunës seksuale, si dhe nëpërmjet Zyrës për Mbrojtjen e Viktimave është duke e ofruar mbrojtën e nevojshme ligjore për të gjitha viktimat që pësojnë nga aktet e dhunës.