Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev ka uruar Kryeministrin e ri të Kosovës, Albin Kurti.
Përmes një letre ai ka vlerësuar marrëdhëniet miqësore në mes dy vendeve, bashkëpunimi i të cilave karakterizohet nga një dialog i hapur politik, i bazuar në respekt dhe vlerësim të ndërsjellë, bashkëpunimin intensiv ekonomik dhe tregtar.
Ai pret që ky bashkëpunim të vazhdohet me të njëjtën energji në periudhën e ardhshme, gjë që do të mundësojë thellimin e tyre në sfera të tjera me interes të ndërsjellë.
Në fund, kryeministri Zaev ka shprehur dëshirën për një takim sa më të shpejtë me kryeministrin Kurti.
“Është kënaqësia ime e veçantë të shpreh urimet e mia të sinqerta për rizgjedhjen tuaj kryetar i Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe t’ju uroj suksese në kryerjen e këtij funksioni të përgjegjshëm”, ka shkruar në letrën e urimit kryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, dërguar kryeministrit Kurti./Front Online