Përderisa Austria merrej si model për t’u ndjekur gjatë valës së parë të pandemisë së koronavirusit, kthimi i saj në izolim të martën ka nxitur kritika ndaj qeverisë.
Ekspertët, mediet dhe politikanët e opozitës po e kritikojnë koalicionin qeveritar të kryeministrit Sebastian Kurz për menaxhimin e situatës së pandemisë, shkruan The Guardian, transmeton Gazeta Express.
Mungesa e parashikimit dhe sjellja e papërgjegjshme janë vetëm disa nga kritikat e bëra ndaj qeverisë që nga e shtuna, kur u dha njoftimi për masat e reja të izolimit.
Mbyllja e të gjitha dyqaneve për prodhime joesenciale dhe e shkollave është pa dyshim shprehje e humbjes së tërësishme të kontrollit, tha Pamela Rendi-Ëagner, kryetare e Partisë Socialdemokrate në opozitë.
“Është për shkak të qeverisë në veçanti që masa më të ashpra janë të nevojshme tash dhe që Austria është vendosur nga një vend model në fund të tabelës në aspektin e infeksioneve”, shtoi ajo.
Masat e së shtunës erdhën dy javë pas mbylljes së restoranteve, bareve dhe qendrave sportive e kulturore.
Austria tani do të jetë me orë policore deri më 9 dhjetor. Të drejtë të lëvizjes do të kenë punëtorët, ata që dalin për të blerë ushqim, ata që kujdesen për të tjerët dhe personat që dalin për ushtrime.