Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po mburret se gjatë mandatit të tij në krye të Qeverisë janë rritur Investimet e Huaja Direkte (IHD), mirëpo bazuar në raportet e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) shumica e këtyre investimeve shkojnë në blerjet e patundshmërive nga diaspora.
Kurti ka shkruar sot gjatë ditës në “Facebook” se mesatarja vjetore e Investimeve të Huaja Direkte gjatë qeverisjes sonë është 705.6 milionë euro apo, siç ka shkruar ai, 2.4 herë më shumë sesa mesatarja vjetore gjatë qeverive të kaluara e cila është 299.8 milionë euro nëse e marrim nga viti 2007 e këtej.
“Qeverisja e mirë dhe e ndershme, me besueshmëri dhe kënaqshmëri të lartë qytetare, sundimi i ligjit, përparimi demokratik, stabiliteti institucional, reformat ekonomike, përgjegjshmëria fiskale, politikat tatimore të përshtatshme, mbështetja e investimeve përmes garantimit të kredive, fuqia punëtore e kualifikuar, e me skemat e punësimit të subvencionuara nga qeveria po e bëjmë shtetit tonë një destinacion përherë e më shumë tërheqës për investime dhe opsion gjithnjë e më të favorshëm për investitorë të huaj”, ka shkruar mes tjerash Kurti.
Pesë top shtetet prej nga vijnë IHD-të: Zvicra, Gjermania, Shqipëria, Turqia dhe SHBA-të
Sipas statistikave të Bankës Qendrore të Kosovës gjatë vitit të kaluar Investimet e Huaja Direkte kanë arritur në mbi 840 milionë euro, ku rreth 600 milionë euro prej tyre kanë qenë të orientuara në sektorin e patundshmërisë.
Ndërsa gjatë periudhës janar-qershor 2024, sipas BQK-së, shuma e përgjithshme e Investimeve të Huaja Direkte në Kosovë ka arritur në 408 milionë euro.
Në pesëshen e shteteve kryesore prej nga vijnë IHD-të janë: Zvicra 79.5 milionë euro, Gjermania 60 milionë euro, Shqipëria 54.9 milionë euro, Turqia 41.1 milionë euro dhe SHBA-të 35.9 milionë euro, raporton Front Online.
Në anën tjetër, përfaqësuesit e opozitës thonë se Investimet e Huaja po numërohen investimet e diasporës në patundshmëri.
Shala: S’ka investime reale me Qeverinë “Kurti”
Kryetari i Komisionit Parlamentar për Ekonomi, Ferat Shala, ka deklaruar se Qeveria po i përdorë shifrat e mërgatës si investime të huaja.
Ai tha për Front Online se pushteti aktual po manipulon me shifra për shkak të mungesës së investimeve.
“Qeveria Kurti e ka gabim këtë klasifikim që po e bënë. Investime të huaja reale me këtë Qeveri s’ka fare, në katër vite asnjë investitor s’ka ardhë. Lojë me shifra e manipulime për shkak që ka mungesë të investimeve në fusha të caktuara”, deklaron Shala.
Deputeti Shala thotë se mjetet e mërgatës nuk llogariten si investime të huaja.
“Investimet e mërgatës janë në blerjen e banesave e shtëpive”, thotë Shala.
Shatri: Kurti po mashtron me statistika për investimet e huaja
Ish-ministri i Financave, Haki Shatri thotë se kryeministri aktual po mashtron me shifrat kinse ka rritje të investime të huaja direkte.
Ai thotë për Front Online se nuk është korrekte të bësh krahasime të tilla siç po bënë Kurti.
“Nuk është ndonjë sukses se nuk mundësh të bësh këso krahasime sa për të bërë reklama, ajo ka qenë tjetër periudhë nuk është korrekte, por këto janë shifra sa për të mashtruar”, theksoi Shatri.
Kadrijaj: Kurti ti prezantoj shifrat për investimet e huaja para militantëve, nga shifrat ekonomike nuk qëndrojnë
Njohësi i çështjeve ekonomike, Mustafë Kadrijaj në një prononcim për Front Online ka folur për deklaratën e kryeministrit Albin Kurti për rritjen e mesatares për investimet e huaja direkte në Kosovë.
Kadrijaj ka thënë se aktualisht nuk ka investime fare.
Pasi sipas tij, kanë ndikuar deklaratat për luftë nga Kurti e Konjufca.
“Nuk ka investime fare tani. Si kemi me pas investime kur Kurti dhe Konjufca deklarojnë që Kosova është vend që rrezikohet nga Serbia”, thotë Kadrijaj.
Ekonomisti Kadrijaj thotë se investimet e huaja nuk llogaritën nga mjetet e diasporës.
“Këto shifra mund të qet vetëm para militantëve por nga shifrat ekonomike nuk qëndron kjo. Investimet e diasporës nuk llogaritën si investime të huaja direkte”, u shpreh Kadrijaj për Front Online.
*Ky artikull u realizua nga mediumi “Front Online”, për dhe në kuadër projektit të gazetës online Reporteri.net: “Luftimi i dezinformimit dhe propagandës përmes Edukimit Medial për komunitetet joshumicë në Kosovë”, i financuar përmes grantit të Ambasadës Amerikane në Prishtinë. Mendimet, përfundimet dhe konkludimet apo rekomandimet e shprehura këtu janë të Autorit(ëve) dhe jo medoemos pasqyrojnë qëndrimet e Departamentit të Shtetit.