Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ia ka uruar fitoren e zgjedhjeve presidenciale në SHBA kandidatit Demokrat, Joe Biden, si dhe kandidates për nën-presidente, Kamala Harris.
Hoti, nëpërmjet një postimi në llogarinë e tij në ‘Facebook’ ka thënë se nga Administrata e ardhshme pret përforcim të miqësisë të, siç e konsideron ai, të përhershme të Kosovës dhe SHBA’së.
“Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, i shpreh urimet e mia Presidentit të zgjedhur Joe Biden dhe Kamala Harris, për fitoren e zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pres që të forcojmë edhe më shumë miqësinë tonë të përhershme me Shtetet e Bashkuara dhe të vazhdojmë punën tonë së bashku për njerëzit tanë dhe në shërbim të vlerave tona të përbashkëta”, ka deklaruar Hoti.
I pari i ekzekutivit, bashkë me delegacionin kosovar, arriti nën udhëheqësinë e Administratës Trump të nënshkruajë marrëveshjen për normalizim ekonomik mes Kosovës dhe Serbisë më 4 shtator në Uashington.
Demokrati Joe Biden është zgjedhur presidenti i 46-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës pas një garë të ashpër me republikanin, Donald Trump, i cili synonte të merrte edhe një mandate të dytë si njeriu i parë i Amerikës.
Biden në gjithë procesin e numërimit të votave ka qenë duke prirë, derisa vendimtare ka qenë përmbysja që i ka bërë në Trumpit në shtetin e Pensilvanisë.
Tashmë Biden ka mbi 270 vota elektorale, të cilat ia mundësojnë hyrjen në Shtëpinë e Bardhë si i pari i Amerikës.
Përgjatë historisë, Joe Biden, njihet për afërsinë dhe miqësinë shumë të ngushtë me shqiptarët, sidomos me Kosovën.
Përgjatë viteve të 90-ta, ai ka qenë avokues i madh i lirisë së Kosovës dhe kishte kërkuar me ngul që SHBA të bombardonte Serbinë.