Kroacia ka vendosur përsëri futjen në karantinë, për të ardhurit, vizitorët, nga katër shtete fqinje të saj në Ballkan, pas shpërthimit të një vale të dytë të koronavirusit në rajon.
Udhëtarët nga Bosnja, Serbia, Kosova dhe Maqedonia e Veriut do të duhet të izolohen për 14 ditë pas mbërritjes në Kroaci.
Udhëtarët e tranzitit do të përjashtohen, u tha gazetarëve, Ministri i Brendshëm i Kroacisë, Davor Bozinovic.
Në fund të majit, Kroacia hapi kufijtë e saj me dhjetë vende të BE-së, përfshirë Gjermaninë, Austrinë dhe Estoninë.
Vendi kishte regjistruar pak ose aspak infeksione që nga mesi i majit, por situata u përkeqësua javën e kaluar, kur Kroacia filloi të raportojë deri në 30 raste të reja COVID-19 në ditë.
Përhapja përkoi me një pjesë të turneut ndërkombëtar të bamirësisë së tenisit, nga Adria Tour, organizuar në qytetin bregdetar të Zadarit në 20 qershor.
Pas aktivitetit, Novak Gjokoviç, organizatori, gruaja e tij dhe tre tenistë të tjerë rezultuan pozitivë për koronavirus.
Turneu kishte filluar në Beograd, në atë që agjensia e lajmeve AFP raportoi se ishte një stadium i mbushur me njerëz.
Pasi Gjokoviç u testua pozitivisht, kryeministri kroat Andrej Plenkoviç u vu në presion se pse nuk u izolua pasi ai rrahu supin e Gjokoviç në turne. Kryeministri Plenkoviç më vonë rezultoi i painfektuar me koronavirus.