×
  • Lajme
  • Ekonomi
  • Ekonomi

    Kriza energjetike kërcënon edhe këtë dimër

    FrontOnline
    20 Korrik 2022

    Kosovën, me sa duket, e pret një dimër i vështirë, sa i përket furnizimit me energji elektrike.

    Çmimet e energjisë në berzat ndërkombëtare janë të larta dhe jostabile. Lëvizjen e tyre e ka shkaktuar fillimisht pandemia e koronavirusit, ndërsa hov të madh kanë marrë edhe pas nisjes së pushtimit të Ukrainës nga Rusia, në fund të shkurtit.

    Zëdhënësi i Kompanisë për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS), Viktor Buzhala, thotë se çmimet e energjisë elektrike në berzë janë katërfishuar, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2021.

    “Vitin e kaluar, gjatë stinës së verës, çmimi për megavat energji elektrike ka qenë rreth 100 euro… Deri në fund të vitit ka shkuar në 600 euro për megavat. Aktualisht është 400 euro për megavat”, thotë Buzhala për Radion Evropa e Lirë.

    Nevojat e Kosovës për energji elektrike i tejkalojnë kapacitetet e prodhimit, sidomos gjatë dimrit.

    Kosova ka kapacitet të prodhojë rreth 800 megavate në orë, kurse nevojat e saj, në ditë dimri, arrijnë deri në 1.300 megavate në orë.

    Këtë diferencë, ajo zakonisht e importon nga jashtë.

    Sipas Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZREE), Kosova ka importuar vitin e kaluar 1.311.461 megavate rrymë.

    Pavarësisht ndihmesës me import, qytetarët janë përballur shpesh me reduktime të rrymës, sidomos në dhjetor – për ç’gjë ekspertët e çështjeve energjetike kanë fajësuar autoritetet vendimmarrëse për, siç kanë thënë, mungesë strategjish.

    Përgatitjet për dimër

    Buzhala tregon se KEDS-i është duke bërë disa përgatitje për dimër.

    “Jemi duke bërë revizionimin e rrjetit… Jemi duke bërë zëvendësimin e pajisjeve që mund të mos jenë në gjendje të mirë”, thotë ai, duke u bërë thirrje edhe qytetarëve të Kosovës, që të përpiqen të kursejnë sa më shumë rrymë.

    Konsumi i energjisë elektrike në Kosovë është i lartë, për shkak se shumë amvisëri ngrohen me rrymë, duke përdorur pajisje joefiçiente, apo të tilla që shpenzojnë më shumë energji elektrike.

    Nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), e cila është përgjegjëse për prodhimin e energjisë elektrike, thonë se kanë nisur, po ashtu, përgatitjet për stinën e dimrit.

    Në një deklaratë me shkrim për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësi i KEK-ut, Skënder Bucolli, thotë se, aktualisht, po bëhet riparimi i njësive prodhuese të termocentraleve Kosova A dhe Kosova B.

    Këto termocentrale, që gjenden në Obiliq, prodhojnë rreth 500 megavate energji elektrike në orë, pra shumë më pak se kërkesat për konsum.

    Një nga arsyet për nënprodhim është vjetërsia me dekada e tyre.

    Bucolli thotë se KEK-u, tash për tash, është duke i ofruar rrymë tepricë Korporatës Energjetike të Shqipërisë, e cila do t’i kthehet në dimër, kur nevojat e Kosovës rriten.

    Radio Evropa e Lirë ka pyetur edhe Ministrinë e Ekonomisë në Kosovë rreth përgatitjeve eventuale për furnizim të qëndrueshëm me rrymë gjatë sezonit të dimrit, por deri në publikimin e këtij teksti nuk ka marrë përgjigje.

    Lëndët djegëse janë shtrenjtuar

    Përfaqësues të opozitës, në anën tjetër, kritikojnë Qeverinë, duke thënë se “po qëndron duarkryq” karshi përgatitjeve.

    “Nuk kemi asnjë hap administrativ, organizativ, juridik apo financiar për të gjetur zgjidhje për periudhën e dimrit. Përkundrazi, kemi neglizhencë dhe mosveprim”, thotë Ferat Shala, deputet i Partisë Demokratike të Kosovës, njëherësh njohës i çështjeve energjetike.

    Sipas tij, Qeveria e Kosovës duhet të ketë plan se si të rrisë kapacitetet prodhuese të energjisë elektrike, duke shfrytëzuar edhe energji alternative.

    Shala paralajmëron se konsumi i energjisë elektrike gjatë sezonit të sivjetmë të dimrit do të rritet edhe më, pasi që lëndët tjera djegëse, që shfrytëzohen për ngrohje nga qytetarët, janë shtrenjtuar.

    Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, lëndët e ngurta djegëse, si drurët e zjarrit apo peleti, kanë shënuar rritje për afro 40 për qind në muajin qershor, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

    Aktualisht, rreth 94 për qind e energjisë elektrike në Kosovë prodhohet nga djegia e thëngjillit, ndërsa rreth 6 për qind nga burimet alternative, si: hidrocentralet, centralet me erë dhe panelet me diell.

    Javë më parë, ministrja e Ekonomisë e Kosovës, Artane Rizvanolli, ka publikuar Draft-Strategjinë e Energjisë për vitet 2022-2031, e cila parasheh rritjen e kapaciteteve për prodhim të energjisë së ripërtërishme.

    Sipas Rizvanollit, synim është që pas dhjetë vjetësh, 35 për qind e energjisë elektrike të gjenerohet nga burimet e ripërtërishme.

    Çmimet e rrymës në Kosovë

    Zyra e Rregullatorit të Energjisë në Kosovë, më 8 shkurt, ka miratuar tarifa më të shtrenjta të rrymës, që është thënë se do të jenë të vlefshme deri më 31 mars, 2023.

    Shtrenjtimi, megjithatë, ka prekur vetëm ata konsumatorë që shpenzojnë mbi 800 kilovatë në orë, brenda një muaji.

    Nga Rubrika
    Lajme16 Janar 2025
    Aktualisht, Prishtina radhitet në vendin e 23 në botë për cilësinë e ajrit. Këtë e thotë tabela e platformës për matjen e...
    Lajme16 Janar 2025
    Afaristi i njohur kosovar, Shkëlqim Devolli, ka udhëtuar sot drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të marrë pjesë në ceremoninë zyrtare...
    Kronika16 Janar 2025
    Policia e Kosovës, në raportin e saj ka njoftuar se gjatë 24 orëve të fundit ka shqiptuar mbi 1 mijë e 700...
    Të tjera
    Vip16 Janar 2025
    Një bisedë mes G Bani dhe Laert Vasili, zhvilluar brenda shtëpisë së “Big Brother VIP Albania”, është bërë objekt diskutimi të madh...
    Vip16 Janar 2025
    Xheneta i ka dërguar sërish një mesazh ish-konkurrentit të Big Brother VIP Kosova 3, Gjestit. Ajo u shpreh se në festën e...
    Vip16 Janar 2025
    Xheneta i ka dalë në mbrojtje Drilonit pas akuzave të Leo-s. Por kjo bëri që ajo të përplaset me Xuxin dhe Sarën...
    Vip16 Janar 2025
    Banorët e shtëpisë më të famshme në vend, Big Brother VIP Kosova, kanë dhuruar spektakel deri në orët e vona të natës....
    Sport16 Janar 2025
    Ylli i FC Barcelonës, Gavi, ka lavdëruar bashkëlojtarin e tij, Lamine Yamal, duke e cilësuar si lojtari më i mirë në botë...
    Zgjedhjet 202516 Janar 2025
    Pasnesër fillon punën Misioni i BE-së për Vëzhgimin e Zgjedhjeve 2025 në Kosovë, njoftoi Zyra e këtij misioni. Mandati dhe objektivat e...

    FrontOnline, © 2025 Të gjitha të drejtat e rezervuara.