Kryeministrja italiane Giorgia Meloni në një intervistë për kanalin televiziv “Rete 4” ka komentuar tensionet që kanë lindur brenda qeverisë së saj.
Meloni u ndal veçanërisht të komentojë krisjet që janë raportuar së fundmi mes Lidhjes së Veriut të Matteo Salvinit dhe partisë së saj Vëllezërit e Italisë.
“Në qeverinë tonë, në mëngjes zihemi dhe në mbrëmje pimë një gotë verë bashkë. Ne në fakt nuk luftojmë, ka disa pengesa dhe kjo është e natyrshme. Por ne e dimë se çfarë presin dhe shpresojnë italianët. Qeveria jonë nuk do të bjerë”, tha kryeministrja italiane.
Më pas Meloni u ndal te punët e mira që ajo dhe Salvini kanë bërë teksa qeverisin Italinë së bashku, si për të treguar se marrëdhënia është ende e fortë.
“Ne kemi ecur përpara me një reformë tatimore, qëllimi i së cilës është të ulim taksat në të gjithë, duke filluar nga qytetarët që kanë më shumë nevojë. Dëgjohen marrëzi të mëdha, si për shembull se do të taksohen 56% e të ardhurave. Ne nuk kemi rritur taksat në asnjë rrethanë”, shtoi Meloni.
Tre ditë pas demonstratave të përgjithshme të së premtes së kaluar nga sindikatat, ku gjysmë milioni italianë dolën në rrugë për të protestuar, Meloni tha se nuk ishte veçanërisht e shqetësuar për protestat në sheshe, “sepse disa njerëz ngrenë zërin kur nuk kanë argumente të forta”.
“Unë e kuptoj pozicionin e vështirë në të cilin ndodhet Maurizio Ladini, sekretar i sindikatës së qendrës së majtë Cgil, sepse argumentet e tij, si dhe rezultatet që ai arrin, janë shumë të kufizuara”, tha ajo. /A2cnn