Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, ka zhvilluar sot një takim online me presidentin e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (KON), Thomas Bach.
I pari i Lëvizjes Olimpike në botë ka përgëzuar Krasniqin për zgjedhjen e tij në krye të KOK-ut, derisa urime të njëjta i ka përcjell edhe i pari KOK-ut në adresë të Bachut, për rizgjedhjen e tij edhe për një mandat në krye të KON-it, përcjell FrontOnline.
Bach ka shprehur vullnetin e madh dhe gatishmërinë që të bashkëpunojë me presidentin Krasniqi në ciklin e ardhshëm olimpik, derisa ka konfirmuar mbështetjen për KOK-un në programe të ndryshme për të promovuar vlerat olimpike në vendin tonë.
Krasniqi, që shoqërohej nga këshilltari i tij, Besim Aliti, i kanë prezantuar programin e KOK-ut për ciklin olimpik 2021 – 2024, për të cilin u përgëzuan nga Bach.
Duke i uruar suksese ekipit olimpik të Kosovës në Lojërat Olimpike Tokio 2020, presidenti Bach propozoi që takimin e radhës me presidentin Krasniqi ta mbajë edhe fizikisht në Tokio gjatë Lojërave Olimpike.
Paraprakisht drejtuesit e KOK-ut do të takohen edhe me drejtorin e Solidaritetit Olimpik të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, James Macloud, takim që do të mbahet javën e ardhshme në Athinë, gjatë Asamblesë Zgjedhore të Komitetit Olimpik të Evropës./FrontOnline/