Elbert Krasniqi nga IRDK ka kritikuar qeverinë e udhëhequr nga Avdullah Hoti. Duke folur në Kuvendin e Kosovës ai akuzoi Hotin dhe Ministrin e Shëndetësisë për zgjedhjet e këshilltarëve.
“Z.Hoti a i njihni të gjithë këshilltarët politikë në zyrën tuaj. E di që nuk i njihni të gjithë zëvendësministrat për shkak se janë të shumtë por të gjithë këshilltarët që janë në zyrën tuaj? A e dini që në zyrën tuaj i keni dy këshilltarë të cilët janë filloristë. Të njëjtën praktikë e ka z.Zemaj. Nuk e di a është ndonjë sekret i kësaj qeverie që të ketë filloristë apo është ndonjë veprim që ne të tjerët nuk arrijmë me e kuptu”, pyeti Krasniqi.
Ai tha se zgjedhja e këshilltarëve pa kualifikim profesional ofendon qytetarin.
“Për qytetarët është ofendim nëse ju në zyrën tuaj keni një këshilltarë që është filloristë i cili nuk di as të bëjë dallimin në mes të mjekësisë primare dhe sekondare. Me këto veprime kjo qeveri veç i dekurajon të gjithë të rinjtë profesionistë nga komunitetet që nuk duhet të shkojnë në shkollë”, shtoi ai.
“Për t’u mbrojtur nga Covid-19 qytetarëve iu është rekomanduar t’i lajnë duart por qytetarët i kanë la duart në momentin kur në krye të kësaj qeverie është Hoti. Jam i bindur se ata qytetarë në zgjedhjet e ardhshme do të distancohen nga votimi i këtij klubi të stërvjetruar politikë”, tha Krasniqi.