Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, sot ka zhvilluar takim me liderin e shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, Ali Ahmetin, të cilin e priti në selinë e PDK-së.
Krasniqi e cilësoi këtë takim si të veçantë, kuptimplotë dhe të sinqertë, duke diskutuar për bashkëpunimin mes dy partive dhe për sfidat e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut dhe më gjerë.
“Kosova dhe Maqedonia e Veriut duhet të thellojnë bashkëpunimin e tyre ndërfqinjësor, edhe në funksion të mbrojtjes të arriturave të deritanshme dhe avancimit të drejtave të shqiptarëve atje. Cenimi, në çfarëdo forme i përdorimit të gjuhës shqipe, si një e drejtë kushtetuese për shqiptarët atje, nuk i kontribuon bashkëjetesës ndëretnike” tha Krasniqi në një postim në Facebook.
Në përmbyllje të takimit, Krasniqi dhe Ahmeti ritheksuan përkushtimin e tyre të palëkundur për kultivimin e paqes dhe avancimin e integrimit evropian të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.