Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi e ka kritikuar Qeverinë për subvencionet ndaj pensionistëve dhe fëmijëve, duke e cilësuar si akt që shpërfaq paaftësinë për implementim të buxhetit.
Ai ka thënë se thirrja e fundit e ministrit të Financave, Hekuran Murati, për rikthim të mjeteve prej 100 eurove për këdo që s’është i kënaqur me vendimin, është tallje me qytetarët.
“Këto janë subvencione që në esencë tregojnë paaftësinë e Qeverisë të implementojë buxhetin, e që pastaj ngarendin që t’i shpenzojnë mjetet që s’dinë t’i dërgojnë në investime kapitale. Buxhetet e viteve të fundit kanë qenë jo efikase në shpenzime. Çdo ndihmë ndaj qytetarëve të varfëruar është e mirëseardhur, por s’është zgjidhje”, ka thënë Krasniqi në RTK Prime.
Krasniqi e ka quajtur të pashpjegueshme reduktimin e energjisë elektrike në kohën e rritjes së faturave tash e dy vjet.
“E para çmimet investive për kapacitete të reja gjeneruese në energji të ripërtërishme në mënyrë të veçantë, sidomos te solare dhe me erë, kanë rënë dukshëm. E dyta ka pasur aq shumë kërkesa dhe interesim nga investitorët e huaj e vendor si asnjëherë më parë, asnjë nga ta s’është lejuar të shkojnë më tutje”, tha ai.
Krasniqi mbështet Ramën për kritikat ndaj punës së Kuvendit në raport me Gjykatën Speciale
Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, ka mbështetur kritikat e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Ram, gjatë seancës së përbashkët parlamentare Kosovë – Shqipëri, për mos formimin e Komisionit që do të verifikonte standardet e punës së Gjykatës Speciale.
“Edi Rama nuk e ka tepruar, e kemi tepruar ne që s’kemi formuar Komisionin që mbikëqyr punën e Gjykatës Speciale. Si PDK kemi pasur kërkesa, diskutime e lutje, kemi qenë të hapur në çdo formë për miratimin e një rezolute, për krijimin e diçkaje që do të na arsyetonte funksionin e Dhomave të Specializuara, se fundja është miratuar nga Kuvendi i Kosovës. Nuk kemi shkuar më tutje vet si grup parlamentar, sepse s’kemi dashur që një çështje kaq e ndjeshme të shihet si politike apo përçarje mes partive”, ka thënë Krasniqi në RTK Prime.
Krasniqi për procedurat që kanë shoqëruar deri te certifikimi i Listës Serbe, ka thënë se partia e tij ka parë të nevojshme pritjen e rekomandimeve nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe Ministria e Punëve të Jashtme.
Ndërkaq sa i përket mundësisë së sulmeve në veri, Krasniqi ka kritikuar Kurtin për alarmime, në vend të punës së ngushtë me institucionet e sigurisë dhe jo thirrjeve publike.