Prishtina ka shënuar fitore në ndeshjen debutuese në Ligën e Kampionëve.
“Bardhekaltrit” triumfuan me rezultat të pastër 0:2 ndaj kampionit të San Marinos, Folgorenit në rundin e parë të fazës preliminare të Ligës së Kampionëve, shkruan FrontOnline.
Pas ndeshjes, mbrojtësi i Prishtinës, Besnik Krasniqi thotë se skuadra e tij me meritë kaloi në finale.
“Të them të drejtën ishte e vështirë. Ishte ndeshja e parë pas pushimit. Patëm shumë raste dhe nuk shënuam dhe patëm pak penikë. Por, shënuam golin e parë, patëm shumë raste të tjera dhe realizuam edhe golin e dytë. Kundërshtari dha maksimumin, por mendoj që me meritë kaluam në finale”, u shpreh Krasniqi.
Prishtina në finale të kësaj faze luan me kampionen e Andorrës, Inter D’Escaldes.
Ai e pranon se nuk kanë njohuri për kundërshtarin që do ta kenë në finale, D’Escaldes nga Andorra.
“Nuk kemi njohuri për kundërshtarin, por do të hyjmë për të fituar. Është ndjenjë e veçantë për mua të luajë me Prishtinën në Ligën e Kampionëve. Unë jam fëmijë i Prishtinës, jam i lumtur dhe besoj që edhe finalen do ta fitojmë dhe ta kalojmë këtë raund”, përfundoi Krasniqi./FrontOnline/