Ish-zëdhënësi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jakup Krasniqi i ka konsideruar jo serioze arrestimet e fundit nga Gjykata Speciale në Hagë. Edhe pse Krasniqi është ndër të intervistuarit nga kjo Gjykatë, Krasniqi për Front Online ka thënë që nuk beson në seriozitetin e kësaj Gjykate.
“Tani kanë ndodhur këto arrestime dhe për mua nuk janë serioze. Kanë kaluar 5 vjet dhe për 5 vjet nëse ka pasur fakte është dashur që të jetë ndonjë aktakuzë e përfunduar bile edhe si gjyq.
Kështu që unë i kam rezervat e mija të mëdha edhe për këto arrestime”, ka thënë ai për Front Online.
Krasniqi i cili pohon se në fillim ka qenë kundër krijimit të kësaj Gjykatë për Front Online, tha se Kuvendi i Kosovës ka bërë gabim kur e votoi atë.
“Qëndrimi im ka qenë kur është biseduar fillimisht dhe atë kohë kam qenë kryetar i Kuvendit dhe kam qenë kundër Gjykatës Speciale. Jo për tjetër por pse në këto hapësira ka qenë një Gjykatë ndërkombëtare ajo e Tribunalit të Hagës e cila është marrë me njerëz nga Kosova dhe me pjesëtarë të UÇK-së. Me pjesëtarët e UÇK-së është marrë edhe administrimi ndërkombëtarë, është marrë edhe EULEX dhe nuk e kam parë të nevojshme që të bëhet një Gjykatë tjetër kur Bashkimi Evropian dhe Perëndimi përgjithësisht e ka pasur një trup që ka pasur mundësi edhe ekzekutive siç është EULEX-i”, ka thënë ai për Front Online, duke shtuar se Kuvendi i Kosovës ka bërë gabim kur e ka votuar këtë Gjykatë.
Në anën tjetër për sa i përket dokumenteve të Gjykatës Speciale që rrjedhën në zyrat e OVL-UÇK-së, Krasniqi tha se të njëjtat nuk është dashur që të publikohen, por të dërgohen në institucionet përkatëse për hetim.
“Në rend të parë unë konsideroj që ndoshta shoqata e veteranëve është dashur që t`i adresojë në institucionet e shtetit ato dokumente dhe jo të merret ajo me to, sepse tek e fundit Kosova i ka institucionet e veta. Në anën tjetër duhet vërtetë duhet të merret përgjegjësi për të zbuluar burimin se prej nga kanë dal ato dokumente jo ata që u janë dërguar atyre. Këtu përgjegjësia është dashur të jetë e institucionit dhe unë nuk e di se cili është ai institucion të cilit i kanë rrjedhur dokumentet por jo Shoqata e Veteranëve të UÇK-së”, ka thënë ai. /Front Online
https://www.youtube.com/watch?v=7pKLJFCOPYI&t=77s