Gjilani e ka deklasuar Besën e Pejës në ndeshjen e fundit të javës së 27-të në Superligën e Kosovës.
Në stadiumin e qytetit në Gjilan, Gjilani është përballur me skuadrën nga Peja, shkruan FrontOnline.
Ndeshja e zhvilluar në pasditën e sotme i takoi djelmoshave të Ismet Munishit me rezultat 5:1.
Pas ndeshjes, trajneri i Besës, Leotrim Krasniqi tha se golat e pësuar sot erdhën pas gabimeve të futbollistëve.
“Sot ekipi ishte me dy fytyra, në pjesën e parë ishim mirë, krijuam raste dhe në fazën defensive ishim të vendosur mirë. Në pjesën e dytë pësuam gola të lehtë nga gabimet tona”, ka deklaruar Krasniqi në “Art Sport”.
“Besa ka me hy në çdo lojë me dhanë maksimumin, do të luftojmë çdo herë. Nuk do të bëjmë kalkulime e pazare. Do të ruajmë fytyrën dhe nderin tonë”, shtoi ai./FrontOnline/