Nënkryetari i PDK-së, njëherësh kandidati për deputet, Memli Krasniqi në hapje të tubimit përmbyllës të fushatës zgjedhore të PDK-së ka thënë se fitorja e PDK-së do t’ia rikthejë dinjitetin vendit dhe politikës.
Krasniqi ka thënë se ka dy të vërteta që nuk mund të shemben kurrë, çlirimi i Kosoovës në qershor të vitit 1999 dhe shpallja e pavarësisë në vitin 2008.
Ai ka thënë se me Rimëkëmbjen fiton secili qytetar i Kosovës dhe ndaj regresit, rrezikut e paaftësisë së mashtruesve dhe demagogëve, sepse PDK-ja i ka dëgjuar kërkesat e secilit prej tyre.
“Prandaj sot është koha për PDK-në. Tani është koha për Rimëkëmbje. Tani është koha e shpresës. Tani është koha për të ëndërruar, por edhe për të mos harruar. Nuk ka të ardhme pa histori dhe ne jemi krenarë për historinë tonë. Plot shpresë edhe për të ardhmen e Kosovës. Që nga e diela, atdheun tonë ne do ta rimëkëmbim së bashku. Që nga e diela, çdo i ri e i moshuar, çdo burrë e grua, çdo punëtor e ndërmarrës, do ta kenë sigurinë dhe mbështetjen që ju duhet. Kjo është PDK-ja jonë. Kjo është PDK-ja e qytetarëve tanë. Kjo është e ardhmja që na pret me PDK-në.”, ka thënë ai.
Për më tepër lexojeni fjalimin e plotë të Krasniqit, i cili në listën e Rimëkëmbjes mban numrin 5:
Mirëmbrëma Prishtinë! Mirëmbrëma Kosovë! Mirësevini të gjithë!
Sonte po e përmbyllim angazhimin për fitore, e po e nisim angazhimin për ta rimëkëmbur atdheun tonë.
Prandaj, sot kemi të drejtë të festojmë. Jo vetëm ne në këtë sallë, por e gjithë Prishtina. E gjithë Kosova. Dhe kemi arsye të mira për t’u gëzuar. Jo vetëm për rikthimin e fuqishëm të PDK-së, por edhe për rikthimin e shpresës dhe të arsyes në politikë. Për rikthimin e dinjitetit e identitetit.
Sepse këto kategori, që një kohë të gjatë, e veçmas në vitin e fundit, janë nëpërkëmbur padrejtësisht, nga ata që nuk kanë as dinjitet e as identitet.
Të dashur të pranishëm,
Ka dy të vërteta që nuk mund të shemben kurrë. Prishtina dhe e gjithë Kosova janë çliruar një herë në qershor të vitit 1999. Republika jonë ka lindur një herë në shkurt të vitit 2008. Dhe as liria jonë, e as republika jonë nuk mund të zhbëhen për teket e kujtdo qoftë.
Prandaj, ne jemi mobilizuar që ti mbrojmë që të dyja. Prandaj këtu, sot, po rreh zemra e kombit tonë. Kosova ka vendosur për Rimëkëmbje!
Këtë e kemi parë vazhdimisht e po e shoh edhe sonte këtu. Unë kurrë nuk kam parë kaq shumë entuziazëm dhe angazhim nga JU. JU po na jepni forcën, frymëzimin, pasionin për ta çuar vendin përpara, që ta Rimëkëmbim Kosovën tonë.
Faleminderit nga zemra të gjithve që keni punuar me aq shumë vullnet në këtë fushatë. Shtabit tonë zgjedhor, ekipit të fushatës në qendër, ekipeve në terren dhe mijëra aktivistëve në të gjitha degët dhe nëndegët e Partisë Demokratike të Kosovës.
Nuk kam dyshim se ju i keni bërë që të mburren me punën tuaj edhe dy liderët tanë, që sonte na mungojnë aq shumë, Kryetarin Kadri Veseli dhe Presidentin Hashim Thaçi.
Të nderuar të pranishëm,
Jemi në hapin e fundit. Na kanë mbetur vetëm edhe 2 ditë. Dhe jo vetëm që do të prekim vijën e finishit, por ne do të fitojmë e do të vazhdojmë të ecim edhe më shpejt, edhe më mirë, për çdo ditë, për ta zhvilluar shtetin tonë.
Me Rimëkëmbjen nuk fitojmë vetëm ne, po secili qytetar i Kosovës. Akoma më e rëndësishme se kaq, Kosova po fiton ndaj regresit, rrezikut e paaftësisë që e kemi parë nga mashtruesit dhe demagogët, të cilëvë duhet t’ua mbyllim derën një herë e përgjithmonë.
Ky vend ka nevojë për udhëheqje të përgjegjshme. Ky vend ka nevojë për udhëheqje patriotike.
Ky vend ka nevojë për udhëheqje kompetente. Kjo është kërkesa e vërtetë e qytetarëve të Kosovës. Ne i kemi dëgjuar ata gjithandej. Ne i kemi kuptuar kërkesat e tyre.
Prandaj sot është koha për PDK-në. Tani është koha për Rimëkëmbje. Tani është koha e shpresës. Tani është koha për të ëndërruar, por edhe për të mos harruar.
Nuk ka të ardhme pa histori dhe ne jemi krenarë për historinë tonë. Plot shpresë edhe për të ardhmen e Kosovës. Që nga e diela, atdheun tonë ne do ta rimëkëmbim së bashku.
Që nga e diela, çdo i ri e i moshuar, çdo burrë e grua, çdo punëtor e ndërmarrës, do ta kenë sigurinë dhe mbështetjen që ju duhet. Kjo është PDK-ja jonë. Kjo është PDK-ja e qytetarëve tanë. Kjo është e ardhmja që na pret me PDK-në.
Ndjehuni krenar dhe votoni me krenari, sepse ne kemi qenë dhe jemi në anën e duhur e të drejtë të historisë. Më 14 shkurt, në ditën e dashurisë, të marrim bashkë frymëzim nga ata që me dashurinë më të madhe njerëzore dhanë gjithçka për Kosovën. Nga dëshmorët, invalidët dhe veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Sepse UÇK-ja është sublimimi i dashurisë për vendin.
E një histori dashurie të madhe për Kosovën e njohim të gjithë ne. E kemi jetuar bashkë. Por, ju ftoj që bashkë ta përkujtojmë edhe sonte këtë histori.