Një nga themeluesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Milazim Krasniqi, pasi Lumir Abdixhiku u zgjodh kryetar i kësaj partie, ka thënë se ky i fundit do të shkatërronte subjektin politik nëse do të bëhej pjesë e kreut të VV’së, Albin Kurtit, si dhe kandidates për presidente Vjosa Osmanit.
Krasniqi, me anë të një statusi në ‘Facebook’, ka thënë se për kryesuesin e ri të LDK’së, jashta partisë, i ka dy mundësi.
“Jashtë partisë i ka dy mundësi: të bëhet pjesë e triumviratit Kurti-Osmani-Abdixhiku, me çka do ta shkatërronte LDK-në definivivisht, ose të hyjë në konflikt me duumviratin Kurti-Osmani, gjë që mund të jetë fillimi i rehabilitimit të LDK-së. Pse? Sepse krahas Isa Mustafës, Albin Kurti dhe Vjosa Osmani, bashkazi, janë dy strategët e rrënimit të LDK-së”, deklaroi ai.
Tutje, profesori universitar, ka thënë se natyra e mbajtjes së Kuvendit të jashtëzakonshëm të LDK’së çon tek ideja se të gjitha fajet për dështim iu janë faturuar kryetarit paraprak të kësaj partie, Isa Mustafa.
“Kuvendi i sotëm i LDK-së u mbajt pa probleme. Pra, pa analizë për shkaqet e rënies drastike, pa prezentimin e ndonjë platforme politike për reforma dhe për orientimin ideologjik. Ky Kuvend u preokupua vetëm me karrigen e kryetarit, me çka de facto gjithë fajin e dështimeve ia faturoi ish kryetarit”, deklaroi ai.
“Punë e vështirë për një djalosh të ri e të papërvojë, të futur me ngut në moçalin e politikës ala ballkanike-kosovare-shqiptare. Por tashmë ai e ka shansin të sprovohet në këtë moçal. Personalisht, i uroj sukses, sepse mbetja në skenën politike dhe ngritja e LDK-së është interes strategjik i për historinë e saj, si dhe për historinë e shtetndërtimit të Kosovës”, shtoi tutje Krasniqi.