“Meqenëse kemi të bëjmë me një sëmundje që sulmon rrugët e frymëmarrjes, atëherë këto janë masat parandaluese më efikase deri më tash”, ka thënë Krasniqi.
Sipas tij, përballja me këtë pandemi kërkon mobilizimin e të gjithëve.
“Ky mobilizim e kemi parë me herët ka nisur nga institucionet e sigurisë, mediat, por ajo që është më kryesorja, moblizim i qytetarëve të Kosovës”, ka thënë Krasniqi në RTK.
I pyetur për idenë e dhënë nga infektologu Ilir Tolaj që pandemia apo koronavirusi largohet vetëm me infektimin e tufës, pra lënia e lirë e qarkullimit të virusit për t’u krijuar imunitetit i masës, Krasniqi ka dalë kundër këtij propozimi.
“Kjo është një qasje që e kemi parë edhe në Suedi, pra qasja e mosmbylljes. Ne në Kosovë e kemi bërë hapjen graduale, duke e zhvilluar edhe jetën, mirëpo është vështirë të kontrollohet infeksioni”, ka thënë ai.
Sipas tij, tjetër gjë është ata që flasin dhe japin këso idesh, e tjetër gjë është për ata që kanë përgjegjësi.
“Është vështirë të kesh infeksion të kontrolluar. Duhet të kesh resurse të mjaftueshme humane, infrastrukturore, të kesh ilaçe të mjaftueshme që të ndodh ajo që ka bërë Suedia”, ka thënë Krasniqi, duke shtuar se nëse nuk i keni këto në dispozicion, atëherë një ndërmarrje e tillë do të ishte shumë e rrezikshme.