Në kuadër të përgatitjeve për organizimin e Zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës të 9 shkurtit 2025, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar specifikat për transportimin e materialeve zgjedhore për votimin jashtë Kosovës.
Dokumenti i miratuar nga KQZ-ja specifikon çështje që kanë të bëjnë me dërgimin apo transportimin e materialeve zgjedhore në përfaqësitë diplomatike, në të cilat do të organizohet procesi i votimit më 8 shkurt 2025 dhe kthimi i tyre në Kosovë.
Sipas të dhënave të KQZ-së, bazuar në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, materialet zgjedhore që kanë të bëjnë me votimin jashtë vendit, kanë statusin e dërgesës diplomatike dhe pas përfundimit të procesit të votimit kthehen në Kosovë.
Në mesin e materialeve zgjedhore të cilat dërgohen në përfaqësi diplomatike në të cilat organizohet votimi janë: kutitë e votimit, kabinat e votimit, fletëvotimet, distinktivët për kryesuesin dhe anëtarët e KVV, vula për vulosjen e fletëvotimit, lidhëset e sigurisë që përmbajnë numrat serik, formularin e raportimit të daljes së votuesve gjatë ditës së zgjedhjeve dhe pas mbylljes së vendvotimit, librin e votimit, formularin e përputhjes së të dhënave dhe materiale të tjera që lidhen me procesin zgjedhor, etj.
Në këtë dokument të miratuar nga KQZ, parashihen edhe specifikat për dërgimin në Kosovë të pakove me fletëvotime dhe të materialeve tjera zgjedhore nga kutitë postare jashtë që do të hapen në 22 shtete. Kutitë postare jashtë Kosovës shërbejnë për të mundësuar votimin për shtetasit që janë regjistruar për të dërguar fletëvotimin në adresë të kutisë postare të KQZ-së jashtë Kosovës.
Ndryshe, në mbledhjen e sotme të KQZ u bë e ditur se është duke vazhduar periudha e aplikimit për regjistrim të votuesve jashtë Kosovës, e cila ka filluar më 29 gusht dhe do të përfundojë më 26 dhjetor 2024.
Sipas KQZ-së, në bazë të të dhënave deri më 26 nëntor 2024, në orën 15:00, përmes platformës elektronike http://diapsora.kqz-ks.org janë pranuar rreth 22,470 kërkesa për regjistrim, prej të cilave janë aprovuar 21,067 ndërsa 1,399 të tjera janë refuzuar. Në shumicën e rasteve të refuzuara, aplikuesit nuk janë fotografuar duke mbajtur njëkohësisht në dorë dokumentin e identifikimit.
Gjithashtu, KQZ njoftoi se është duke vazhduar periudha për ndërrimin e Qendrës së Votimit brenda komunës, e cila ka filluar më 29 gusht dhe do të përfundojë më 26 dhjetor 2024. Në bazë të të dhënave, deri më 26 nëntor 2024, në orën 15:00, janë pranuar 2,236 kërkesa për ndërrimin e Qendrës së Votimit (1,764 përmes platformës elektronike http://qv.kqz-ks.org dhe 472 në zyrat e Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve) prej të cilave janë aprovuar 2,161 kërkesa, ndërsa 75 të tjera janë refuzuar. diapsora.kqz-ks.org.