Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), do t’ua mundësojë pacientëve të infektuar me koronavirus, të votojnë në zgjedhjet për kryetar të Podujevës dhe Mitrovicës së Veriut.
Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, bëri të ditur se votuesit të cilët janë të infektuar me Covid-19 në rast se pasi kanë votuar përmes ekipit lëvizës nga shtëpia e tyre ku janë në karantinë do të dalin të votojnë edhe në vendvotim, atëherë do të bënin dy vepra penale.
Ky sqarim u bë në mbledhjen e KQZ-së, në të cilën u bë e ditur se materialet zgjedhore janë dërguar në dy komunat dhe ato do të shpërndahen për në vendvotime sipas planifikimeve në ditën e zgjedhjeve.
Po në këtë mbledhje, KQZ-ja ra dakord me propozimin e kryetares së KQZ-së që gjatë ditës së shtunë do të vendoset lidhur me kufizimin e numrit të vëzhguesve nëpër vendvotime, me qëllim që të mos krijohen tollovi gjatë ditës së votimit dhe të ruhet distanca ashtu siç kërkohet nga institucionet shëndetësore./FrontOnline/