Komisioni Qendror i Zgjedhjeve përmes një njoftimi ka informuar qytetarët se si duhet të plotësohet fletëvotimi për zgjedhjet e 14 shkurtit.
“Në zgjedhjet për Kuvendin e Republikës së Kosovës, ju mund të votoni vetëm për një Subjekt Politik të renditur në anën e majtë të fletëvotimit, ndërsa në anën e djathtë mund të votoni deri në pesë kandidatë nga ai subjekt politik“, thuhet në njoftimin e KQZ-së.
Njoftimi i plotë:
Si të plotësohet fletëvotimi?
Pasi të hyni në kabinën e votimit, sigurohuni që fletëvotimi është i vulosur. Në zgjedhjet për Kuvendin e Republikës së Kosovës, ju mund të votoni vetëm për një Subjekt Politik të renditur në anën e majtë të fletëvotimit, ndërsa në anën e djathtë mund të votoni deri në pesë kandidatë nga ai subjekt politik.
Listën e kandidatëve dhe numrat e tyre i gjeni në broshurën që gjendet në kabinën e votimit. Për të mbrojtur fshehtësinë e votës, paloseni fletëvotimin para se të largoheni nga kabina dhe më pas vendoseni në kutinë e votimit.
Të gjitha vendvotimet do të hapen në orën 07:00 dhe do të mbyllen në orën 19:00.