Vajzës 20-vjeçe kosovare, Bleona Tafallari, i është shqiptuar masa e burgimit për 3 vjet e 4 muaj, për nxitje të pjesëmarrjes në terrorizëm.
Me një jehonë të madhe u arrestua në nëntor të vitit të kaluar në Milano. Bleona Tafallari, ishte futur nën shënjestër të prokurorisë dhe organeve tjera italiane të rendit dhe sigurisë në qytetin e Milanos, aty edhe ku ishte rezidente.
Mbi të rëndonte akuza e rëndë e pjesëmarrjes në terrorizëm, respektivisht në grupin famëkeq ISIS. Ky të paktën ishte qëndrimi i prokurorisë italiane, e cila kërkoi që ndaj vajzës 20-vjeçe, që njëherit identifikohej edhe si “luanesha e Ballkanit”, të shqiptohej dënimi më i madh i mundshëm.
Pavarësisht qëndrimeve të prokurorisë italiane të Milanos, gjykatësit kanë arritur në një verdikt, ku bie poshtë aktakuza për pjesëmarrje direkte të Bleona Tafallarit në ISIS.
Sipas konkludimeve të gjykatësve, ndonëse nuk ishte direkt pjesë në mekanizmat e strukturës terroriste të ISIS-it, ajo prapëseprapë nxiste të tjerët që të involvoheshin aty.
Kësisoj, vepra penale ndaj 20-vjeçares kosovare është riformuluar. Për këtë arsye edhe ka rënë poshtë kërkesa e prokurorit italian, Leonardi Lesti, i cili kërkonte 5 vjet dënim.
Në seancën e fundit, gjykatësit vendosën që Bleona Tafallari të dënohet me 3 vjet e 4 muaj, me arsyetimin e nxitjes e të tjerëve për t’u përfshirë në ISIS .
Pasi iu kominikua dënimi në fjalë, ajo refuzoi që ta thotë qoftë edhe një fjalë, duke qëndruar e heshtur.
Mbrojtja e Tafallarit feston
Avokatët e Tafallarit e konsideruan një fitore të rëndësishme të gjithë rrjedhën që mori hetimi mbi akuzat që ranë ndaj klientes së tyre. Riformulimi i aktakuzës u konsiderua si një triumf i madh, i cili bëri që edhe dënimi t’i reduktohej.
Avokatja e të dënuares, Giuseppina Bartolotta, në shoqërimin e kolegut të saj, Giuseppe De Carlo, në dalje nga seanca festuan për këtë dënim më të lehtë, i cili iu komunikua klientes së tyre.
Sipas gjykatësve, nuk kanë hasur prova të mjaftueshme që Bleona Tafallari të ketë pasur kontakte qoftë direkte apo indirekte me grupin terrorist ISIS.
Mbrojtja nuk do të mjaftohet me kaq. Ata kanë ndërmend që ta kërkojnë edhe heqjen e masës së burgimit për vajzën kosovare. Gjykatësit në anën tjetër, arsyet e plota të marrjes t masës së dënimit, të bashkangjitura me procesverbalin, do t’i depozitojnë brenda harkut kohor prej 90 ditëve.
Por, si erdhi deri te arrestimi dhe aktakuza për terrorizëm?
Gjithçka u ndërlidh me sulmin terrorist që 21-vjeçari, Kujtim Fejzulai, shkaktoi dhe me ç’rast razoi kryeqytetit austriak, Vienën, në nëntorin e vitit 2020, aty ku gjetën vdekjen katër persona të pafajshëm, para se policia ta qëllonte për vdekje edhe vetë atentatorin.
Ndërlidhja ishte e pashmangshme, sepse përveç përgjimeve të shumta telefonike ku ajo ekzaltonte këto sulme terroriste, ndër të tjera me atentatorin në fjalë, Kujtim Fejzulai, ishte edhe e martuar.
Sipas prokurorisë, vajza e re që nga adoleshenca kishte organizuar një rrjetë të vazhdueshëm të propagandës, e cila shkonte në dobi të ISIS-it. Tërë kjo duke përdorur rrjetet sociale si mekanizma të interaksionit. Glorifikimi i grupit terrorist që i bënte ajo, kishin shtyrë hetuesinë e Milanos që ta vinin në shënjestër të tyre.
Prokuroria insistonte që ajo së bashku me burrin e sa kishin organizuar mbledhje të ndryshme së bashku me të mitur, të cilët i nxisnin për të marrë pjesë në luftë, siç thuhej sipas konstatimeve të prokurorisë, “kundër armikut perëndimor”.