Sot në gjithë territorin e Republikës votohet për të zgjedhur legjislaturën e re.
Në zgjedhjet e 14 shkurtit janë certifikuar 28 subjekte politike, prej tyre 21 parti politike, 2 koalicione dhe 5 iniciativa qytetare.
Lista përfundimtare e votuesve brenda vendit për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës të cilat do të mbahen më 14 shkurt, përmban: 1 milion e 794 mijë e 862 emra të votuesve.
Në këto zgjedhje janë 143 mijë e 6 votues më pak se në Zgjedhjet për Kuvend të 6 tetorit 2019, pasi nga kjo listë janë larguar 122 mijë e 421 votues të cilët posedojnë vetëm dokumente të identifikimit të lëshuara nga UNMIK-u, si dhe për shkak të largimit të 11 mijë e 86 të cilët janë konfirmuar se janë larguar nga skema pensionale për shkak të vdekjes.
Numri i Qendrave të Votimit në të gjithë vendin është 888 me gjithsej 2 mijë e 382 vendvotime.
88 prokurorë do të jenë të angazhuar ditën e zgjedhjeve në nivel vendi, në mënyrë që të sigurohet një proces i drejtë dhe ligjor, ndërsa Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka caktuar 30 gjyqtarë kujdestarë për ditën e dielë.
Gjatë ditës së zgjedhjeve subjektet politike, OJQ-të dhe qytetarët që mendojnë se të drejtat e tyre janë shkelur mund të paraqesin ankesat në Panelin Zgjedhor në afatin prej 24 orëve nga mbyllja e qendrës së vendvotimit
Demokracia në Veprim do të ketë 500 vëzhgues të cilët do të jenë në qendra të ndryshme të votimit./Front Online/