Megjithatë, Ministria e Brendshme ka bërë të ditur për Tv Dukagjinin se nuk ka pasur ndërprerje të shërbimeve, pasi sistemet mbrojtëse kanë arritur të identifikojnë dhe ndalojnë qasjet e paautorizuara.
Sipas Berishës, këto sulme janë një paralajmërim serioz dhe duhet të marrin përgjigjen e duhur nga institucionet vendore.
Ai thekson nevojën për një CERT më funksional, për krijimin e një autoriteti për menaxhimin e domeneve kombëtare, si dhe për investime në edukim dhe inteligjencë artificiale që nga arsimi parauniversitar.
Ndërkohë, Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) e cilëson situatën si pasojë të mospërgatitjes institucionale, për shkak të vonesës në themelimin e Agjencisë për Siguri Kibernetike, e cila ishte paraparë të krijohej që nga viti 2023. Drejtori i QKSS-së, Mentor Vrajolli, ka theksuar se mungesa e koordinimit mes institucioneve vetëm sa e ka rritur cenueshmërinë e Kosovës në këtë fushë.
Përveç institucioneve shtetërore, sulmet kanë prekur edhe kompani private si KEDS-i, çka shton më tej shqetësimin për përhapjen dhe ndikimin e tyre.
Në një kohë kur sulmet kibernetike po bëhen gjithnjë e më të sofistikuara dhe të motivuara politikisht, Kosova përballet me domosdoshmërinë urgjente për ngritjen e kapaciteteve të saj mbrojtëse në fushën e sigurisë digjitale./Telegrafi/