Shkruan: Avni Jashari
Kosova sapo ka kaluar një proces zgjedhor të vështirë dhe të ngarkuar me tensione politike. Ndërsa në të gjithë botën po rritet ndikimi i partive të ekstremit të djathtë, Kosova ka arritur të ndërtojë një demokraci solide, më të avancuar se shumë shtete të rajonit. Megjithatë, përvoja e pasluftës ka treguar se zgjedhjet e sovranit nuk kanë qenë gjithmonë në përputhje me interesin afatgjatë të shtetit. Kjo e ka bërë vendin të luhatet mes shpresave dhe zhgënjimeve, duke krijuar një cikël politik të paqëndrueshëm.
Sot, Kosova ndodhet në një udhëkryq të rrezikshëm. Sanksionet e vendosura nga partnerët ndërkombëtarë ende nuk janë hequr, ndërsa izolimi gjatë administratës Biden e la vendin në një pozitë më të dobët. Tani, me rikthimin e Trumpit në skenën globale, realiteti politik mund të bëhet edhe më i vështirë. Qeveria aktuale, e cila në teori identifikohet si e majtë, nuk ka ndërtuar një profil të qartë ideologjik gjatë mandatit të saj të parë. Për më tepër, është në kundërshtim të hapur me politikat e reja të Trumpit, i cili tashmë ka filluar të riformësojë strategjinë e politikës së jashtme amerikane, duke lënë të hapur mundësinë që Kosova të humbasë përkrahjen e Shteteve të Bashkuara.
Ajo që e bën situatën edhe më të ndërlikuar është fakti se partia fituese, e cila drejtohet nga Albin Kurti, ka një të kaluar të diskutueshme sa i përket qëndrimit të saj ndaj shtetit të Kosovës. Për vite me radhë, Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje kanë qenë kritikë të ashpër të institucioneve të Kosovës, duke mos e njohur si legjitim shtetin e shpallur më 2008. Kjo qasje ende reflektohet sot, ku në tubimet e Vetëvendosjes nuk intonohet himni shtetëror i Kosovës, por vetëm ai i Shqipërisë. Ky simbolizëm nuk është i rastësishëm dhe mund t’i kushtojë shumë Kosovës në këtë periudhë të vështirë, kur çdo shtet duhet të demonstrojë unitet dhe legjitimitet të palëkundur në arenën ndërkombëtare.
Nëse ndjekim logjikën e zhvillimeve të fundit, rreziku i ndarjes apo edhe i shuarjes së shtetit të Kosovës nuk është më një teori konspirative, por një mundësi e prekshme. Kjo ide u hodh për herë të parë gjatë administratës së parë të Trumpit, kur Thaçi, Rama dhe Vuçiq synuan të bënin një ridefinim të kufijve në Ballkan. Një skenar i tillë do të ishte në favor të politikës serbe për zgjerim territorial dhe të aspiratave të Shqipërisë për një rikonfigurim gjeopolitik në rajon. Kosova, nga ana tjetër, ka qenë historikisht viktimë e prirjeve për copëtim, ku shpeshherë elementë destruktivë nga Shqipëria kanë luajtur rol kyç në dobësimin e shtetësisë kosovare.
Në këtë kontekst, duhet të rikujtojmë se Kosova nuk është thjesht një produkt i politikave moderne, por një subjekt historik me rrënjë të thella. Gjenet dardane dëshmojnë një popullsi me identitet të veçantë, që nuk ka asnjë lidhje të drejtpërdrejtë me konceptin e sotëm të “albanezëve”. Mbreti Gent, një nga figurat kryesore të mbretërisë dardane, ishte përfaqësues i një civilizimi që për shekuj sfidoi hegjemoninë romake dhe greke. Kjo trashëgimi nuk është vetëm një fakt historik, por një argument i fuqishëm ligjor që i dha Kosovës të drejtën për pavarësi. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, në vendimin e saj të vitit 2010, konfirmoi legjitimitetin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, duke u bazuar edhe në kontinuitetin historik të saj si entitet i veçantë politik dhe kulturor.
Por historia e Kosovës si qendër e një identiteti të veçantë nuk përfundon këtu. Gjatë periudhës kur Kosova kishte autonomi në Jugosllavi, ajo luajti pikërisht rolin që duhej ta kishte luajtur Shqipëria. Në kohën kur regjimi komunist në Shqipëri kishte izoluar vendin dhe shkatërruar strukturat arsimore dhe intelektuale, ishte Kosova ajo që u bë vatër e dijes dhe mbrojtjes së identitetit kombëtar për të gjithë të rinjtë shqiptarë në ish-Jugosllavi dhe më gjerë. Universiteti i Prishtinës, intelektualët kosovarë dhe rezistenca kulturore e atyre viteve ishin faktori kyç që e mbajti gjallë vetëdijen kombëtare, ndërsa Tirana zyrtare nuk kishte as kapacitet dhe as vullnet për të ndihmuar shqiptarët përtej kufijve të saj.
Ky fakt historik duhet të shihet si një mësim për të tashmen. Kosova ka treguar se është e aftë të mbijetojë dhe të ndërtojë një identitet të qëndrueshëm, por kjo kërkon lidership të qartë dhe një strategji të fortë shtetërore. Nëse vazhdojmë të udhëhiqemi nga politika të mjegullta dhe liderë që nuk i japin përparësi interesit shtetëror, rreziku i copëtimit dhe dobësimit të Kosovës do të bëhet realitet. Në këtë betejë për ekzistencë, nuk ka më vend për iluzione dhe naivitet.