×
  • Bota/Rajoni
  • Bota/Rajoni

    Kosova ndjek me vëmendje zgjedhjet në SHBA

    FrontOnline
    24 Tetor 2020

    Zgjedhjet e tre nëntorit në Shtetet e Bashkuara po ndiqen me interesim edhe në Kosovë, ku roli i Amerikës vlerësohet i pazëvendësueshëm për zhvillimet e deritashme por edhe për të ardhmen e saj.

    Ish presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, në një bisedë për Zërin e Amerikës thotë se vendi po e ndjek këtë proces të zgjedhjeve me një shkallë më të lartë të interesimit, meqë Kosova synon që të vazhdojë dhe fuqizojë aleancën dhe partneritetin me Shtetet e Bashkuara.

    “Dhe po ashtu procesi i zgjedhjeve në Amerikë ndiqet me një interesim pak më të madh edhe për shkak të politikës së jashtme e cila buron nga një administratë e dalë nga zgjedhjet. Ndërsa në anën tjetër kur i shohim këto fuqitë e mëdha si Kina dhe Rusia të cilat janë në ngritje e sipër përmes ndikimit të tyre ekonomik dhe politik por edhe qasjes destruktive ndaj vendeve tjera dhe tendenca arrogante që kanë ndaj atyre demokracive të brishta, gjithnjë e më shumë po vije në sipërfaqe nevoja dhe domosdoshmëria që të kemi një Amerikë më të fuqishme, që të kemi një Amerikë më të bashkuar që bashkëpunon me të tjerët në mënyrë që të promovojë ato vlera demokratike dhe që të çrrënjosë popullizmin dhe autoritarizmin”, thotë ajo.

    Presidentja Jahjaga thotë se është me rëndësi që Kosova dhe Ballkani Perëndimor të jenë në kuadër të agjendës së politikës së jashtme të Shteteve të Bashkuara.

    “Partneriteti ynë me SHBA-të është imperativ në mënyrë që nëse neve duam të kemi zhvillim ekonomik, në qoftë nëse ne duam zhvillim politik, në qoftë se neve dëshirojmë të kemi agjendë të qartë të integrimeve euro-atlantike, të thënë të drejtën kjo asnjëherë nuk ka pasur alternativë tjetër për ne dhe nuk duhet të ketë alternativë tjetër”, tha presidentja Jahjaga.

    Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, njëherësh deputet në parlamentin e vendit thotë se roli i Shteteve të Bashkuara është thelbësor jo vetëm për Kosovën por edhe tërë rajonin.

    “Unë mendoj që Shtetet e Bashkuara të Amerikës në raport me Kosovën prej viteve 90-ta kur Kosova është paraqitur si çështje, prej rezistencës sonë civile, prej luftës së UÇK-së e deri në ditët e sotme ka pasur një politikë në raport me Kosovën dhe ka pas një qasje mbi partizane të përbashkët të dy partive qoftë demokratë qoftë republikanë në lirinë, në shtetformimin dhe në shtetndërtimin e Kosovës deri më sot. Dhe meqë Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë pasur një politikë dhe një qasje të përbashkët në raport me Kosovën mendoj se për Kosovën është politikisht e drejtë, në rrafshin strategjik shumë e domosdoshme që ne ashtu ta shohim Amerikën nga Prishtina”, thotë zoti Hoxhaj.

    Kryetarja e Alternativës, që është pjesë e grupit parlamentar të lëvizjes Vetëvendosje në parlamentin e Kosovës, Mimoza Kusari Lila, thotë se Kosova historikisht është dhe do të mbetet e lidhur me Shtetet e Bashkuara të cilat sipas saj përcaktuan të ardhmen pozitive të Kosovës.

    “Kësaj radhe është një specifikë ndryshe sepse kësaj radhe për katër vite në Shtëpinë e Bardhë ishte një president jo tradicional, jo sipas asaj që ne dhe gjithë bota ishim mësuar ta shohim prandaj edhe rezultati i zgjedhjeve presidenciale në Amerikë dhe e ardhmja e atyre zgjedhjeve do të përcaktohet me atë se si do të votojnë amerikanët me 3 nëntor por edhe me atë se çfarë reflektimi do të ketë në njërën anë e cila tashmë konsiderohet mjaft dramatike edhe në Kosovë për fatin se kemi të angazhuar të deleguarin e presidentit Trump në dialogun Kosovë-Serbi”, tha zonja Kusari Lila.

    Naim Rashiti, që drejton Grupin Ballkanik për hartimin e politikave thotë se zgjedhjet në Shtetet e Bashkuara janë temë globale dhe përcaktojnë peshën e dinamikave e zhvillimeve për katër vitet e ardhshme.

    “Është një proverb ku thuhet se “nëse demokracia bie në Spanjë do të humb vetëm Spanja por nëse demokracia bie në SHBA vdes në tërë botën”, kështu që sytë janë nga të gjithë, globi është me sy dhe përqendrim nga zgjedhjet e 3 nëntorit e në veçanti Evropa, ku gjatë presidentit Trump nuk ka pasur edhe aq marrëdhënie të mira me SHBA-në. Kështu që gara do të jetë shumë e ashpër mes një politike jokonvencionale, politikë/biznes çfarë presidenti Trump e ka sjellë dhe një vazhdimësi e politikës tradicionale apo tentativë për ta ruajtur politikën tradicionale”, thotë zoti Rashiti.

    Kosova vazhdon të mbetët në mesin e vendeve që llogaritë në mbështetjen dy partiake në Shtetet e Bashkuara. Në zgjedhjet e vitit 2016, presidenti aktual i Kosovës, Hashim Thaçi kishte deklaruar mbështetje për kandidaten demokrate Hillary Clinton, e cila humbi ato zgjedhje nga presidenti aktual amerikan, Donald Trump. Kjo kishte ngjallur pastaj reagime në Kosovë.

    Nga Rubrika
    Bota/Rajoni14 Nëntor 2024
    Donald Trump ka emëruar Robert F. Kennedy Jr për të udhëhequr departamentin e Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore. “Jam i emocionuar të shpall...
    Bota/Rajoni14 Nëntor 2024
    Rastet e fruthit janë rritur me më shumë se 200 për qind në rajonin evropian gjatë vitit të kaluar në mes të...
    Bota/Rajoni14 Nëntor 2024
    Një urë në Krimenë e pushtuar nga Rusia është shembur “spontanisht”, duke dëmtuar shinat hekurudhore poshtë saj dhe duke lënë dy persona...
    Të tjera
    Lifestyle15 Nëntor 2024
    Dashi Mund të përballeni me disa tensione sidomos lidhur me sferën familjare dhe sentimentale. Do të jeni nën ndikimin e favorshëm të...
    Lajme15 Nëntor 2024
    Sot, nesër e pasnesër, FSK-ja do të zhvillojë trajnime në terren në fshatrat Butovc dhe Zllatar të Komunës së Prishtinës. Gjatë kësaj...
    Vip15 Nëntor 2024
    Xheneta u pyet nga banorët në darkën e të nominuarve se pse nuk arrin të bëjë një debat pa ofendime. Banorja u...
    Lajme15 Nëntor 2024
    Halil Thaçi, deputet nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje në një prononcim për Front Online e ka quajtur doracakun famëkeq  “veç një doracak”...
    Lajme15 Nëntor 2024
    Doracaku i publikuar për edukimin seksual dhe shëndetin riprodhues i vitit 2023 ka shkaktuar reagime të shumta, duke tërhequr kritika nga opozita...
    Sport15 Nëntor 2024
    Botërori i vitit 2026 është rrugës, ndërsa janë bërë të ditura edhe gjasat e kombëtareve për ta fituar atë, bazuar në formën...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.