Kombëtarja e Kosovës në konkurrencën e vajzave ka mësuar kundërshtarët për edicionin e ri të Ligës së Kombeve, duke u shortuar në Grupin 6 të Ligës C, ku do të përballet me Letoninë dhe Maqedoninë e Veriut.
Shorti është hedhur të enjten në selinë e UEFA-s në Nion.
Ndeshjet e para pritet të luhen në muajin shkurt, ndërsa kalendari i plotë do të caktohet ditëve në vijim. Ndeshjet do të zhvillohen sipas sistemit vajtje-ardhje, duke siguruar që secila skuadër të ketë një përballje në fushë të vet dhe një në fushë të kundërshtarit.
Sipas rregullave të UEFA-s, gjashtë fituesit e grupeve të Ligës C do të promovohen në Ligën B. Dy skuadrat më të mira që renditen të dytat në grupet e tyre do të kenë mundësinë të sfidojnë dy ekipet më të mira nga vendi i tretë i Ligës B. Fituesit e këtyre përballjeve do të luajnë në Ligën B për fazën e kualifikimeve evropiane, ndërsa ekipet e mposhtura do të rikthehen në Ligën C./RTK