Ngritja e çmimit të derivateve të naftës e ka prekur edhe Kosovën.
Muaji mars Kosovën e ka gjetur me çmim rekord të derivateve të naftës, duke arritur në rreth 1.6 euro për një litër naftë.
E që qytetarët ta kenë më të përballueshëm këtë ngritje të çmimit, njohësit e ekonomisë, partitë politike, dhe qytetarët po kërkojnë që Qeveria ta merr shembull Kroacinë, e cila të hënën e uli akcizën për derivatet e naftës.
Gërxhaliu: Çmimet e derivateve do të pësojnë ngritje deri në vitin e ardhshëm
Njohësi i ekonomisë, Safet Gërxhaliu, në një prononcim për FrontOnline, tha se për ta përballuar këtë ngritje, Qeveria duhet së bashku me sektorin privat ta analizojnë modelin kroat.
“Duhet të analizohen metodat dhe modelet të cilat i kanë zbatuar vendet e rajonit. Duhet të kalkulohet modeli kroat ku e kanë bërë uljen e akcizës në import të naftës por sidoqoftë të gjitha këto janë vendime që duhet të bien dakord me sektorin privat me një bashkëbisedim i cili për fat të keq është duke munguar”, tha ai.
Gërxhaliu tha se qytetarët do të përballën me ngritje të çmimit të naftës deri në fillimin e vitit të ardhshëm.
“Sa i përket çmimit të naftës shumë ekspert të fushës dhe institute kredibile e parashikojnë se vitit 2022 dhe fillimi i vitit 2023 do të jenë me këtë trend”, u shpreh ai.
Kryetari i naftëtarëve: Qytetarët po furnizohen me çmimet më të lira në rajon e botë
Uljen e akcizës së naftës e ka kërkuar edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, por kundër këtij propozimi po del Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, FadIl Berjani.
Ai në një prononcim për FrontOnline, tha se Abdixhiku po kërkon diçka e cila nuk mund të bëhet në Kosovë.
“Kryetari i LDK-se po kërkon diçka që nuk mund të bëhet, kur ka qenë ai pjesë e Qeverisë, ai nuk ka kërkuar që këto gjëra të bëhen, por unë mendoj se akciza nuk duhet të lëviz dhe as TVSh-ja, sepse kjo është një kohë e shkurt kur pritet që sektori i naftës të bie në binar pas përfundimit të luftës në Ukrainë’, tha Berjani.
Ai tha se e kuptojnë që qytetarët janë të goditur nga këto çmime, por sipas tij, kjo është duke ndodhur në tërë botën.
“Këto çmime janë të larta për qytetarët në e kuptojmë por këto janë duke ndodhur në tërë botën. Qytetarët tanë po furnizohen me çmimet më të lira në rajon e botë”, tha ai.
Por deklarata e Berjanit po del në kundërshtim me çmimet reale të derivateve në rajon.
Kosova nuk e ka çmimin më të lirë as në rajon, e lë më në botë.
Kosova është e dyta në rajon, pas Shqipërisë me çmimin më të lartë të derivateve. Qytetarët po paguajnë rreth 1.59 euro për një litër naftë.
Ndërkaq, çmimi më i lirë i një litër nafte apo benzine është në Bosnjë e Hercegovinë prej 1,32 euro.