E pikërisht 12 vite pas shndërrimit të TMK-së në FSK, Forca e Sigurisë së Kosovës ka gjithsej 2 mijë e 700 pjesëtarë.
Kjo është konfirmuar t nga zëdhënësi Ibrahim Shala.
Shala ka deklaruar se për momentin në FSK janë rreth 2 mijë e 700 pjesëtarë dhe se përpos kosovarëve, në Forcën e Sigurisë së Kosovës është edhe një numër i konsiduereshëm i pjesëtarëve të komuniteteve jo-shumicë.
Tani për tani në FSK komunitetet pakicë janë prezentë me 7.67% prej numrit të përgjithshëm.
Por ka kaluar pak kohë që nga koha kur në FSK u hap edhe një konkurs i ri për shtimin e numrit të pjesëtarëve të saj.
Nga Ministria e Mbrojtjes kanë bërë të ditur se procedurat e përzgjedhjes nga konkursi i fundit janë ende në zhvillimin e sipër dhe se ato pritet të përfundojnë në gjashtëmujorin e parë të këtij vitit dhe se pas kësaj pritet edhe të dihet numri i saktë i pjesëtarëve që do t’i shtohen radhëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Por cila është mosha mesatare e të gjithë ushtarëve të Kosovës?
Sipas Ligjit për Shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës, mosha e përcaktuar është prej 18 deri në 55 vjet, por mosha mesatare në FSK është 27 vjet.
Pas përmbylljes së procedurave të përzgjedhjes nga konkursi i fundit i cili u mbajt, nga Ministria e Mbrojtjes kanë bërë të ditur se konkursi i ardhshëm për të gjithë të rinjtë e interesuar për të qenë pjesë e FSK-së, sipas planit parashihet të jetë në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2021, raporton lajmi.net.
Ndryshe kanë kaluar pak javë që nga momenti kur në Kuvendin e Kosovës u votua ligji që pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës të kenë të drejtën të marrin pjesë në misione jashtë vendit.
FSK pritet që në pranverën e këtij viti, saktësisht në muajin mars të zbarkojë në misionin e parë paqeruajtës, që nga shndërrimi i saj në ushtri në dhjetor të vitit 2018.
Kontingjenti i ushtarëve të Kosovës do të jetë pjesë e misionit të Gardës Kombëtare të Ajovas të Ushtrisë amerikane dhe destinacion i parë pritet të jetë Kuvajti. Kjo u bë e ditur nga Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama , i cili theksoi se në shqyrtim janë dy vende.
“Për vende, i kemi dy opsione, Kuvajtin dhe Irakun, por presim që shumë shpejt ta konfirmojmë këtë. Sado të jetë simbolike, pjesëmarrja jonë është shumë e rëndësishme për FSK-në dhe Kosovën”, pati thënë Rama.
Nga Ministria e Mbrojtjes ndryshe nuk kanë pranuar të japin detaje shtesë lidhur me furnizimin e fundit që FSK ka bërë me armë.
Të njëjtit shkurt thanë se mbi planin gjithëpërfshirës të tranzicionit, FSK-ja është pajisur dhe vazhdon të pajiset me armatim përkatës për misionin që ka.
“Pas përmbylljes së procedurave të përzgjedhjes së konkursit të fundit, konkursi i ardhshëm/tjetër, sipas planit, parashihet të jetë në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2021. Mbi Planin Gjithëpërfshirës të Tranzicionit FSK-ja është e pajisur dhe vazhdon të pajiset me armatim përkatës për misionin që e ka”.