Përfaqësuesja e Kosovës është e gatshme dhe maksimalisht e motivuar për ndeshjen me Malin e Zi, që mund të vendos për kualifikim në “Euro 2022”.
Kosova e Mali i Zi takohen të mërkurën (sonte) nga ora 19:30 në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë. Ndeshja i takon Grupit 8 të fazës së dytë kualifikuese, përcjell FrontOnline.
Pas barazimit dhe fitores me Rumaninë, përfaqësuesja jonë është e frymëzuar për një tjetër sukses. Fitorja me Malin e Zi me shumë mundësi na dërgon në Evropian.
Më 4 nëntor në Podgoricë, malazezët kanë fituar me rezultat 32:25, por djemtë tanë kanë ishin rivalë të barabartë thuajse deri në fund. Tani synohet të bëhet hap para.
Përfaqësuesja ka punuar me përkushtim prej të mërkurës së kaluar dhe faza përgatitore ishte e suksesshme. Në mungesë të selektorit Bujar Qerimi, që për shkaqe shëndetësore nuk ka mundur të udhëtoj nga Belgjika, ndeshjen e drejton trajneri i parë, Fatmir Muhaxheri.
Dy të parët në grup kualifikohen e po ashtu katër prej tetë Kombëtareve më të mira të vendit të tretë. Kosova aktualisht është e treta në grup me 3 pikë, sa i ka edhe Rumania në vend të dytë. Suedia udhëheq me 6 pikë kurse Mali i Zi është i fundit me 2 pikë. Suedia e Mali i Zi kanë nga 3 ndeshje, kurse Kosova e Rumania nga 4.
Kualifikimet Kosova i mbyll të dielën me ndeshjen në udhëtim ndaj Suedisë, nënkampiones së botës.
““Si çdo ndeshjeje tjetër edhe kësaj i qasemi me shumë seriozitet dhe me synim për fitore. Kjo ndeshje për dallim nga të tjerat, ka një rëndësi më të madhe pasi që në rast të fitores kemi gjasa të jemi në Kampionat Evropian. Jemi pak në presion për këtë ndeshje, por ekipi i Malit të Zi mendoj që ka më shumë presion. Nëse e japim maksimumin, luajmë lojë të kujdesshme dhe efikase, besoj se në fund do të arrijmë të kemi rezultatin që e dëshirojmë”, ka thënë kapiteni i Kosovës, Valon Dedaj.
“Që prej ditës së parë të grumbullimit, përgatitjet kanë shkuar shumë mirë. Nuk kemi pasur ndonjë problem. Synimet janë të qarta – të tregojmë lojë të mirë dhe të nivelit të lartë. Kualifikimi i mundshëm në Evropian na motivon edhe më shumë, edhe pse do të jetë një ndeshje e vështirë. Ne do të tregojmë lojën tonë dhe do të japim maksimumin”, thotë Bujar Ramosaj./FrontOnline/