Kosova e “shkel” San Marinon në miqësore, Muriqi shkëlqen me “poker”
Kosova ka regjistruar fitore të thellë në takimin e parë miqësor të muajit qershor ndaj San Marinos.
“Dardanët” e ka mposhtur me rezultat të lartë 4-1 Kombëtaren e San Marinos në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Në këtë sfidë kontrolluese ka shkëlqyer sulmuesi prizrenas, Vedat Muriqi i cili “detyroi” portierin mysafir të nxjerrë topin nga rrjeta në plotë katër golat e ndeshjes.
Ishte minuta e 28-të kur Muriqi zhbllokoi shifrat, për ta dyfishuar më pas në minutën e fundit të kohës së rregullt të pjesë së parë.
Me t’u rikthyer në fushë, ende pa kaluar një minutë i plotë, sulmuesi i Lazios kompletoi “het-trikun”.
Muriqi “pokerin” e regjistroi në minutën e 76-të kur nuk gaboi nga pika e bardhë e penalltisë.
Golin e vetëm të mysafirëve e shënoi Tomassini, gol ky që “shpërtheu” në festë lojtarët e San Marinos.
Në këtë ndeshje kanë pasur rastin të debutojnë nga minuta e parë disa lojtarë, përfshirë këtu edhe Mirlind Dakun e Ballkanit që zëvendësoi Muriqin në 10 minutat e fundit.
Kosova pas disa ditësh luan në miqësore me Maltën./FrontOnline/