Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Blerim Isufaj dhe kreu i SPAK-ut në Shqipëri, Altin Dumani, kanë firmosur marrëveshje bashkëpunimi për krijimin e ekipeve të përbashkëta hetimore.
Bëhet e ditur se marrëveshja parashikon bashkëpunim të ngushtë dhe koordinim të veprimeve të të dyja prokurorive në fusha të rëndësishme të luftës kundër krimit që prekin interesat ekonomike, financiare dhe shoqërore të të dyjave vendeve.
Isufaj dhe Dumani, nënshkrimin e kësaj ujdie e vlerësuan si të rëndësishme, duke theksuar se ky është një hap drejt përmirësimit të sigurisë dhe sundimit të ligjit në dy shtetet përkatëse, si dhe drejt ndërtimit të një partneriteti të fortë në mes të dy institucioneve të drejtësisë.