Ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla së bashku me ministrin në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Gent Cakaj dhe përfaqësuesit nga Lugina e Preshevës kanë nënshkruar tri marrëveshje bashkëpunimi.
Ministrja, Haradinaj-Stublla tha se Kosova dhe Shqipëria mbesin të përkushtuar në rrugën euroatlantike, por theksoi se edhe komunitetit shqiptar duhet t’i respektohen të drejtat e tyre nga shteti serb.
Ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla tha se qëllimi i arritjes së këtyre marrëveshjeve është përpjekja për adresimin e nevojave të qytetarëve në Luginë të Preshevës.
“Sot kemi nënshkruar marrëveshjen për ngritjen e grupit punues për Fondin mbështetës shqiptarët e Malit të Zi dhe po ashtu protokollin e veprimit për përfaqësim konsullor ku konsullata e përgjithshme në Strugë hap dyert edhe për Republikën e Shqipërisë që të ndajmë të njëjtin objekt në bazë të marrëveshjes së ministrave paraprak. Me qëllimin e përbashkët që të bëjmë përpjekje për adresimin e kërkesave dhe nevojave të shqiptarëve të Luginës në Preshevë në Prishtinë u nënshkrua pakti për Medvegjën një marrëveshje e partive politike për veprim të përbashkët në mbështetje të Medvegjës kjo do jetë një platformë bashkërendimi në një listë të vetme në zgjedhjet lokale në Medvegjë dhe një mbështetje për Këshillin Kombëtar në Medvegjë“, theksoi ajo.
Kurse, ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Gent Cakaj e ka ftuar për një vizitë të shpejtë në Tiranë ministren Haradinaj-Stublla.
Cakaj tha se Kosova dhe Shqipëria duhet të kenë politikë të jashtme të unifikuar, sidomos në çështjet madhore, ndërsa theksoi se në dy vitet e fundit ka pasur përparime serioze në këtë drejtim.
“Kosova dhe Shqipëria shpreh edhe njëherë qëndrimin se duhet të kenë një politikë të jashtme absolutisht të unifikuar, të harmonizuar sa i përket objektivave madhore dhe veçanërisht dy viteve të fundit kemi pasur një përparim serioz sa i përket krijimit të mekanizmave të bashkëpunimit ndërministror në politikën e jashtme në përgjithësi duke filluar nga ngritja e Këshillit për Politik të Jashtme Ndërministror e deri tek Fondi që kemi nënshkruar sa I përket mbështetjes financiare për Luginën e Preshevës”, tha Cakaj.
Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Gent Cakaj i ka komentuar dhe tri marrëveshjet e nënshkruara, ndërsa deklaroi se filluar një aksion diplomatik për rritjen e ndjeshmërisë ndërkombëtare për çështjen e shqiptarëve në Luginën e Preshevës.‘
“Edhe takimi i sotëm ka një domethënie të veçantë meqenëse sot janë nënshkruar tre marrëveshje e që secila është më kuptim plotë se tjera. E para që vlen të theksohet është marrëveshja për bashkimin e hapësirave konsullore në Strugë. Kjo marrëveshje përveç vlerës që ka sa I përket racionalizimit të shpenzimeve dhe bashkimit të aseteve të diplomacive tona është një sinjal i qartë që projekti për bashkimin e ambasadave dhe konsullatave përkatësisht hapësirave është duke vazhduar dhe është i pakthyeshëm…Nënshkrimi i marrëveshjes për mbështetjen financiare të shqiptarëve të Malit të Zi me zonjën ministre kemi qenë tepër aktiv për krijimin e koalicionit për listën shqiptare atje gjë që ka shënuar rezultate të mira, por ajo mbështetje politike duhet të përkthehet edhe në mbështetje financiare institucionale….09’20 Marrëveshja e spektrit politik shqiptar në Luginën e Preshevës ku kemi një dakordim se sa i përket çështjes së Medvegjës realisht të gjitha partitë politike shqiptare do flasin me një zë“, tha ai.
Gjatë vizitës së tij në Kosovë ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Gent Cakaj është takuar edhe me kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hotin./FrontOnline/