Sot në Prishtinë u mbajt mbledhja e përbashkët e dy qeverive, asaj të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.
Në mesin e shumë marrëveshjeve të mirëkuptimit mes dyja vendeve, u nënshkrua një marrëveshje edhe në sektorin e energjisë.
Firmat aty i hodhën, ministrja e Ekonomisë Artane Rizvanolli, në emër të Kosovës dhe në emër të Maqedonisë së Veriut Sanja Bozinovska, ministre e Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale.
Lidhur me këtë marrëveshje detaje ka dhënë Ministria e Ekonomisë përmes një njoftimi.
“Qëllimi i nënshkrimit të Memorandumit të Mirëkuptimit në sektorin e energjisë është rritja e sigurisë, përballueshmërisë e qëndrueshmërisë energjetike, ku bashkëpunimi rajonal është kyç”, njofton ME-ja.
“Marrëveshja parasheh, ndër të tjera, iniciativa të përbashkëta në projekte të BRE-ve, si dhe mundësitë e shkëmbimit ndër-shtetëror të energjisë dhe ekspertizës teknike mes ndërmarrjeve tona publike të energjisë”, thuhet ndër të tjera në njoftim .