
Në tremujorin e parë të vitit 2019, ekonomia e Kosovës në terma realë u rrit me 4.1 për qind, ndërsa tregtia vazhdon të ketë kontributin më të lartë në rritjen e saj.
Norma reale e rritjes në këtë tremujor, kryesisht i atribuohet konsumit privat, me një kontribut prej rreth 4.62 pikë përqindje, investimeve totale me 1.98 pikë përqindje dhe konsumit publik me 0.55 pikë përqindje, ndërkohë që kontributi i eksporteve neto të mallrave dhe shërbimeve vazhdoi të ishte negativ me rreth -3.09 pikë përqindje.
“Në tremujorin e parë të 2019-së, bazuar në ndarjen e Produktit të Brendshëm Bruto, sipas aktiviteteve ekonomike, sektori i tregtisë me shumicë dhe pakicë vazhdon të ketë kontributin më të lartë në rritjen reale të Produktit të Brendshëm Bruto me rreth 0.47 pikë përqindjeje, duke u ndjekur nga sektori i furnizimit me energji elektrike, gaz dhe ujë me rreth 0.37 pikë përqindje, ndërkohë që sektori i ndërtimit dhe industrisë përpunuese dhe nxjerrëse shënoi kontribut të ngjashëm pozitiv me rreth 0.14 pikë përqindje, respektivisht 0.19 pikë përqindje”, thuhet në raportin “Buletini Ekonomik, tremujori prill-qershor 2019”, prezantuar nga Ministria e Financave, shkruan Telegrafi.
Raporti thekson se kontributi i sektorit të bujqësisë ishte lehtësisht nën zero me -0.02 për qind dhe kontributi i sektorit të shërbimeve ishte ndjeshëm më i ulët se periudhat paraprake.
Bazuar në të dhënat preliminare tremujore nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), rritja reale e Produktit të Brendshëm Bruto gjatë gjithë vitit 2018 ishte 3.9 për qind krahasuar me vitin paraprak. Mirëpo, bazuar në të dhënat historike, publikimet vjetore për rritjen ekonomike janë zakonisht më të larta se ato tremujore. Prandaj, duke gjykuar mbi bazën e rishikimeve të rritjes ekonomike nga ASK dhe në ecurinë e burimeve të financimit të konsumit dhe investimeve dhe në ecurinë e bilancit tregtar, pritet që rritja vjetore reale për vitin 2018 të jetë më e lartë apo rreth 4.3 për qind.
Ministria e Financave në raport tregon se konsumi privat në tremujorin pasardhës do të shënojë rritje të ngadaltë, ndërsa ai publik është përshpejtuar.
“Konsumi privat në tremujorin e dytë të 2019-së pritet të shënojë një rritje më të ngadaltë, si rezultat i ritmit të rritjes së importeve të mallrave të konsumit më 2.6 për qind, rritjes së mbledhjes së Tatimit mbi Vlerën e Shtuar më 1.52 për qind dhe rritjes së remitencave me 6.7 për qind. Konsumi publik është përshpejtuar në 6.9 për qind në tremujorin e dytë të 2019-së”, thuhet në raport, shkruan Telegrafi.
Në raport paralajmërohet se investimet private do të kenë një normë rritjeje më të ulët, ndërsa dinamika e investimeve publike është përmirësuar.