Ushtruesi i detyrës së Presidentit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka reaguar pas vdekjes së humoristit Rasim Thaçi-Cima.
Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Konjufca ka thënë se humori i tij ka qenë thellësisht politik edhe atëherë kur nuk është dukur i tillë.
“Humori i Rasim Thaçit ka qenë thellësisht politik edhe atëherë kur nuk është dukur i tillë. Çdo herë ka pasë porosi të mprehta brenda skeçeve të tij. Humori që e bënte Treshi Përsheshi gjatë viteve ’90 nuk ishte thjesht zbavitje, por aktivizëm politik.
Humori që thumbon në shenjë shpeshherë është më i guximshëm se njëmijë deklarata. Rasim Thaçi humorin e kishte ideal. Mbi të gjitha ai bënte humor të këndshëm në llogari të vetes: veçoria më e sinqertë e një humoristi të mirë”, ka shkruar Konjufca.
Ky është postimi i tij i plotë:
Ndjehem i pikëlluar që na la përfundimisht ikona e humorit tonë Rasim Thaçi – Cima. Ai së bashku me Lecin (Ibrahim Krajovën tashmë të ndjerë) dhe Qumilin (Sevdai Radogoshin) ishin Treshi i artë i humorit tonë popullor nën okupim.
Humori i Rasim Thaçit ka qenë thellësisht politik edhe atëherë kur nuk është dukur i tillë. Çdo herë ka pasë porosi të mprehta brenda skeçeve të tij. Humori që e bënte Treshi Përsheshi gjatë viteve ’90 nuk ishte thjesht zbavitje, por aktivizëm politik.
Humori që thumbon në shenjë shpeshherë është më i guximshëm se njëmijë deklarata. Rasim Thaçi humorin e kishte ideal. Mbi të gjitha ai bënte humor të këndshëm në llogari të vetes: veçoria më e sinqertë e një humoristi të mirë.
Veçantia e humorit të Cimës qëndron në hapjen një dimensioni përtej përmbajtjes, diskursit dhe dialogut. Ai e ka inauguruar komiken e gjestit, situatës dhe akrobacionit. Me frizurën e tij ekstravagante dhe kostumin e paharrueshëm me kutia, na ka berë të qeshim po sikur Buster Keaton-i.
Ngushëllime familjes e bashkëpunëtorëve të Rasim Thaçit -Cimës!