Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka takuar Drejtorin Ekzekutiv të institutit të Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, Atdhe Hetemi, nga i cili edhe e ka pranuar raportin njëvjeçar të punës së Institutit.
Gjatë këtij takimi, kryekuvendari Konjufca theksoi rëndësinë që ka puna e këtij instituti për të dokumentuar të vërtetën e krimeve të luftës së shtetit të Serbisë ndaj shqiptarëve në Kosovë, duke qenë se “kjo i shërben faktimit të historisë, përgjigjes ndaj mohimit dhe fshehjes që Serbia i bën krimeve të saj, si dhe hapjes së rrugës për vendosjen e drejtësisë”.
Hetemi nga ana e tij e ka njoftuar Konjufcën me punën e deritanishme të institutit, me sfidat dhe të arriturat që priten në vazhdim.
Siç njofton Zyra për Komunikim e Kuvendit, Konjufca e përgëzoi drejtorin Hetemi për punën e madhe të bërë deri tani nga ky institut në grumbullimin e materialeve dhe tha se “kjo shënon një hap domethënës e të domosdoshëm të faktimit të sistemuar”.
Hetemit, Konjufca i ofroi të gjithë mbështetjen e nevojshme “në mënyrë që të ketë rezultate sa më të mëdha në plotësimin e këtij synimi aq të rëndësishëm për Republikën e Kosovës dhe popullin tonë”.