Nënkryetari i VV’së, Glauk Konjufca, ka thënë se ekziston vetëm një opozitë në Kosovë, e ajo është VV’ja.
“Vetëm një opozitë ekziston në Kosovë, ajo është Vetëvendosje. Të gjitha interpelancat e rëndësishme në parlament po bëhen nga VV. Komisionet hetimore po udhëhiqen nga VV. Partia tjetër që i thotë vetes opozitë ka votuar buxhetin dhe ka hyrë në negociata që të bëhet pjesë e qeverisë. Pandemia ka ndikuar shumë, nuk mund ta fshehim si fakt, pasi ka ndryshuar jetën e botës. Pandemia e ka dëmtuar VV-në si parti dhe Albin Kurtin si udhëheqës. Kjo sepse VV e ka ndërtuar autoritetin e vet në kontaktin me njerëzit. Prej muajit mars, Kurti dhe VV nuk e ka pasur mundësinë që të takojë njerëzit. Më shumë jemi të koncentruar në aktivitetet parlamentare, në konferencat për shtyp që bëhen çdo javë, për të reaguar ndaj asaj që po shohim dhe që po ndodh në Kosovë. Ne jemi aktiv në demaskimin e kësaj që po ndodh, por kjo është mënyra tani”, tha ai në Syri.
“Mungesa e figurave kryesore të VV në parlament mund të vërehet, por ne jemi përpjekur që të ndërtojmë një lëvizje përtej dy apo tre figurave, për të cilët thuhet se pa ta nuk ekziston VV. Ne jemi përpjekur për të ndërtuar një lëvizje të qytetarëve. Megjithatë kurrë nuk është parë që katër figurat kryesore më të votuara të VV të mos jenë në Kuvend dhe jashtë institucioneve. Kjo vërehet dhe për këtë qytetarët janë të shqetësuar. Ky është rasti i parë në historinë e Kosovës pas luftës që ndodh kjo,”, tha Konjufca.