Konjufca nderon të vrarët në masakrën e familjeve Bogujevci, Duriqi dhe Llugaliu.
Kryetari i kuvendit, Glauk Konjufca, ka bërë homazhe te varrezat e anëtarëve të familjeve Bogujevci, Duriqi dhe Llugaliu, në Podujevë, të vrarë nga forcat pushtuese serbe më 28 mars 1999.
Konjufca ka qenë së bashku me kryeministrin në detyrë Albin Kurti, me nënkryetaren e Kuvendit, Saranda Bogujevci si dhe me kryetarin e Podujevës, Shpejtim Bulliqi.
Komunikata:
Kryetari Glauk Konjufca nderoi të vrarët në masakrën e familjeve Bogujevci, Duriqi dhe Llugaliu
Së bashku me kryeministrin Albin Kurti, nënkryetaren e Kuvendit, Saranda Bogujevci dhe kryetarin e Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, bëri homazhe te varrezat e anëtarëve të familjeve Bogujevci, Duriqi dhe Llugaliu, në Podujevë, të vrarë mizorisht nga forcat pushtuese serbe më 28 mars 1999.
Pasi nderuan të vrarët dhe vendosën lule të freskëta në varret e tyre, krerët e shtetit gjatë bashkëbisedimit me familjarë të martirëve dhe qytetarë të tjerë, theksuan përkushtimin e institucioneve për të çuar deri në fund përpjekjet dhe për të mos u ndalur asnjëherë deri kur Serbia të japë përgjegjësi të plotë për krimet e saj që i kreu në Kosovë.
Kryetari Konjufca dhe kryeministri Kurti theksuan se masakra ndaj familjes Bogujevci, familjes Duriqi dhe asaj Llugaliu, në të cilën shumica e të vrarëve janë fëmijë dhe gra, tregon mizorinë e pashembullt të Serbisë dhe përmasat e gjenocidit që ajo me aparatin e saj shtetëror të dhunës ka bërë bërë ndaj popullit tonë.
“Kujtimi dhe nderimi për të gjithë të sakrifikuarit për lirinë të cilën po e gëzojmë sot dhe që do ta gëzojnë brezat e ardhshëm, do të jetë i përjetshëm”, u tha gjatë bashkëbisedimit me familjarë të të vrarëve.