Në tri markete të mëdha janë konfismuar sasi të djathit.
Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi, bashkë me inspektorët e tregut, kanë inspektuar disa biznes për të parë nga afër se sa po respektohen vendimet për ndarjen e produkteve me përmbajtje shtazore dhe atyre me përmbajtje bimore.
“Jemi këtu bashkë me inspektorët e tregut për të parë nga afër se sa po zbatohet vendimi ynë sa i përket ndarjes fizike të produkteve bimore me ato shtazore. Ne vizituam tri markete të mëdha, dhe në secilin market kemi hasur parregullsi, kurse sa i përket ndarjeve fizike askund nuk ishin bërë ndarjet e produkteve siç kemi kërkuar”, deklaroi Krasniqi, raporton MTI-ja.
Krasniqi ka thënë se gjatë këtyre inspektimeve janë gjetur mashtrime në deklaracionin e produktit, me ç’rast edhe janë marrë masa ndaj marketeve.
“Kemi gjetur produkte me përshkrimin djathë, e që në fakt përmbajtja e tyre është bimore. Dhe në këtë rast, inspektorët kanë obliguar marketet që t’i largojnë këto produkte të cilat janë të vendosura në mënyrë mashtruese”, ka thënë Krasniqi.