Shqipëria hapi sot zyrtarisht grup-kapitullin e dytë të negociatave me Bashkimin Europian – “Tregu i Brendshëm”, gjatë konferencës së katërt ndërqeveritare Shqipëri-BE që u zhvillua në Luksemburg.
Në fjalën e tij, Kryeministri Edi Rama theksoi angazhimin e Shqipërisë për të përfunduar të gjitha kapitujt negociues deri në vitin 2027. “Së bashku me Komisionin dhe nën udhëheqjen mjaft të disiplinuar të Komisioneres Kos, kemi rënë dakord për një axhendë ambicioze. Synimi është që brenda 2027-ës të jenë jo vetëm të çelur, por edhe të mbyllur të gjithë grup-kapitujt”, deklaroi Rama.
Duke falënderuar Presidencën Polake dhe shtetet anëtare të BE-së për mbështetjen, Rama tha se “procesi ka qenë i çuditshëm në qetësinë e tij, duke pasur parasysh prej nga vijmë – nga një histori betejash dhe pengesash”.
Ministri i Jashtëm i Polonisë, Radosław Sikorski, u shpreh se mbështetja e shqiptarëve për integrimin europian është një nxitje për BE-në. “Shumica dërrmuese e qytetarëve shqiptarë mbështet rrugën drejt BE-së, dhe kjo është një shtysë pozitive për të përshpejtuar negociatat”, tha ai.
Sikorski shtoi se “kapitujt e çelur sot janë jetikë për integrimin ekonomik të Shqipërisë në tregun e brendshëm të BE-së dhe do të rrisin mundësitë për tregti dhe investime”.
Nga ana e saj, Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, vlerësoi përparimin e Shqipërisë dhe tha se “ritmi i deritanishëm është premtues dhe vendosmëria e qeverisë shqiptare është thelbësore për suksesin e këtij procesi”.
Gjatë konferencës për shtyp, Rama e përshkroi anëtarësimin në BE si një zgjedhje ekzistenciale. “Për Shqipërinë, integrimi europian nuk është vetëm ambicie politike apo ekonomike. Është e ardhmja jonë dhe mënyra e vetme për të garantuar liritë individuale dhe jetesën që duam për fëmijët tanë”, tha ai.
Grup-kapitulli i dytë përfshin kapitujt për lëvizjen e lirë të mallrave, punëtorëve, kapitalit, shërbimeve, legjislacionin për shoqëritë tregtare, të drejtën e pronësisë intelektuale, politikën e konkurrencës, shërbimet financiare dhe mbrojtjen e konsumatorit.
Kjo është hera e tretë në gjashtë muaj që Shqipëria hap një grup-kapitull në negociatat me BE-në, pas kapitullit të parë dhe të gjashtë të çelur më herët./Express/