×
  • Tenderët
  • Tenderët

    Komuna e Vitisë, tender gjysmë milionësh në kundërshtim me rekomandimet e Antikorrupsionit

    Fatlum Berisha
    16 Prill 2021

    Sokol Haliti s`po i jep “pesë pare”.

    Në rolin e kryetarit të Vitisë ai po duket goxha i vendosur ta sfidojë Ligjin e Prokurimit Publik për një tender mbi gjysmë milioni eurosh i cili ka të bëjë me asfaltimin e një rruge në fshatin Stubëll e Epërme të komunës që drejton.

    Ai së bashku me menaxherin e zyrës së Prokurimit, Fadil Abazi, s`po zmbrapsen nga shpallja e këtij tenderi që e hapën me 16 mars të këtij viti, ani se disa kritere të tij bien ndesh me ligjet në fuqi të Prokurimit Publik.

    Rol s`kanë luajtur as rekomandimet e Agjencisë AntiKorrupsion që të evitohen shkeljet e tilla ligjore.

    Njoftimi për hapjen e tenderit

    Ndër kriteret bazë për dhënien e tij ka qenë që kompanitë aplikuese të ofrojnë dëshmi se kanë staf prej 25 vetash në 3 vjetët e fundit.

    Kjo bie në kundërshtim me nenin 69 të Ligjit në fuqi të Prokurimit Publik. Më saktësisht me pikën 6.4 të tij.

    Aty thuhet se autoriteti kontraktues mund t`i kërkojë bizneseve minimumin e mesatares së fuqisë punëtore dhe stafit menaxherial për secilin nga tri vitet e fundit.

    Veprimet që ka ndërmarrë komuna për këtë tender janë në kundërshtim edhe me nenin 7 që flet për barazinë dhe mosdiskriminimin.

    Shkeljet ligjore i ka evidentuar edhe Agjencia AntiKorrupsion.

    Andaj përmes një opinioni të saj, i siguruar nga Front Online, i ka rekomanduar Komunës së Vitisë t`i shmang ato.

    Rekomandimin që mban datën e 24 marsit, 8 ditë pas shpalljes së tenderit, AAK-ja ia ka nisur kryetarit vitijas, Sokol Haliti.

    E krahas tij edhe Fadil Abazit, menaxher për Prokurim në komunë.

    Kërkesa siç duket ka rënë në veshë të shurdhër.

    Meqë, njoftimi për kontratë është po ai i njëjti si kur u hap me 16 mars.

    Bile kompanitë tashmë kanë nisur me ofertimet. Janë gjithsej 5 sosh.

    “Zuka Commerce” dhe “Rahovica Comerce” ia kanë mësyrë vetë punës.

    “Alfai. I”, “Pro& Co Group” dhe “Eskavatori” vetë të dytit, secila edhe me nga një kompani tjetër.


    “Zhduket” rekomandimi i Agjencisë Antikorrupsion

    Front Online ka kontaktuar me komunarët e Vitisë për t`i pyetur se pse nuk kanë ndërmarrë ndonjë hap as pas këshillave të Agjencisë AntiKorrupsion.

    Kryetari Haliti, çështjen, ia ka deleguar menaxherit për Prokurim, Fadil Abazi.

    E ky i fundit tha se nuk është në dijeni për një opinion të tillë ani se në dokumentin e marrë nga Front Online, dëshmohet se një i tillë është nisur në adresë të të dyve.

    “Lidhur me këtë opinion unë edhe atë ditë ju thashë se nuk jam në dijen. Tash jam duke e kërkuar në email, por s`ka shansa me gjete dikun”, u shpreh Abazi për Front Online.

    Bile Abazi thotë se angazhoi edhe asistenen e kryetarit për ta lypur këtë dokument, por qe as ajo nuk arriti ta gjejë “kurrkund” atë.

    E jo vetëm.

    “Unë provova me i marrë në telefon agjencinë, por nuk mujta me i marrë në telefon”, tha Abazi.

    Të kundërtën e thonë në Agjencinë Antikorrupsion.

    Komuna, sipas Afrim Atashit, drejtor i Departamentit për parandalimin e korrupsionit, ua ka konfirmuar pranimin e rekomandimit.

    “Nuk e di a kanë ndërmarrë ndonjë hap pastaj për me i korrigju ato shkelje. Po konfirmimin e kena marrë prej tyre”, tha Atashi për Front Online.

    Sfiduesi i Ligjit

    Komuna e Vitisë në krye me Sokol Halitin e kishte sfiduar edhe më herët Ligjin e Prokurimit Publik.

    Bëhej fjalë për një kontratë milionëshe po ashtu që kishte të bënte me asfaltimin e një rruge.

    Komuna kishte përzgjedhur fituese kompaninë “Pro& Co Group” që ishte në konzercium me kompaninë “Eskavatori”.

    Me këtë s`u pajtuan kompanitë e tjera garuese, të cilat u ankuan në OSHP, e cila e anuloi tenderin.

    Kjo për faktin se gjeti elemente diskriminuese të përdorura ndaj këtyre kompanive ankuese dhe të tjera favorizuese ndaj dy të tjerave, “Pro& Co Group” dhe “Eskavatori”.

    Ajo që bie në sy është se këto dy kompani janë në garë edhe për këtë tender, veçse tash ndaras prej njëra-tjetrës.

    Nga Rubrika
    Auto18 Dhjetor 2024
    Gazeta gjermane e biznesit Handelsblatt shkruan se Volkswagen po shqyrton lëvizjen e prodhimit të modelit Golf nga Wolfsburg në Meksikë, duke cituar...
    Lajme18 Dhjetor 2024
    Komuna e Kamenicës që udhëhiqet nga Kadri Rahimaj i Lëvizjes Vetëvendosjes ka shpërblyer me tender gati 2 milionësh konsorciumium “El-Bau” & “Eing...
    Lajme21 Nëntor 2024
    Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve ka shpallur sot tenderin 56 milionësh ndërtimin dhe rindërtimin e stadiumeve në Ferizaj, në Pejë, në...
    Të tjera
    Lajme27 Dhjetor 2024
    Instituti Kombëtar i Shëndetësisë të Publike të Kosovës ka njoftuar se është konfirmuar një rast i infektimit i importuar të Mpox, i...
    Lajme27 Dhjetor 2024
    Një familje kosovare është ankuar për bllokada të shumta gjatë rrugës nga Zvicra për në Kosovë. Sipas familjes Islami, “një udhëtim i...
    Lajme27 Dhjetor 2024
    Ditëve të fundit Kosova është përballur me probleme të furnizimit me energji elektrike, për shkak të mbingarkesës në rrjetit. Ministria e Ekonomisë...
    Lajme27 Dhjetor 2024
    Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) me përkrahje të Byrosë së Narkotikëve Ndërkombëtar dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit (INL) – Departamentit...
    Lajme27 Dhjetor 2024
    Valmir Elezi, zëdhënës i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, për FrontOnline thotë se si votues jashtë Kosovës në periudhën 29 gusht – 26...
    Lajme27 Dhjetor 2024
    Është lehtësuar gjendja në pikëkalimet kufitare pas fluksit së ditëve të fundit të ardhjes së diasporës për festat e fundvitit. Sipas publikimit...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.