Kreu i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, përmes një postimi në Facebook ka bërë të ditur se është marrë vendimi për ndarjen e 170 mijë euro për projektet e kulturës.
“Sot është marr vendimi për ndarjen e 170 mijë eurove për projekte të kulturës. Në këtë kohë pandemie edhe projektet e kulturës, apo më mirë me thënë artistët kanë pësuar nga mungesa e mundësive, shfaqjeve, ekspozitave e koncerteve. Prandaj ndihma për projekte është e domosdoshme”, ka thënë Ahmeti.
Ai ka bërë të ditur se gjatë ditëve të ardhshme do të hapet edhe një thirrje për artistë të fushave të ndryshme të Komunës së Prishtinës të cilët nuk kanë asnjë të hyrë dhe të cilët janë goditur nga kriza e pandemisë.
“Për të gjithë ata që i përmbushin kushtet, Komuna do të ndajë nga një subvencion. Vlera e subvencionit do të varet nga numri i aplikantëve që kalojnë kriteret. Të gjitha detajet do të jenë të ditura ditëve në vijim. Artistët janë kategoria e radhës që gjen mbështetje te komuna. Politikat tona gjatë pandemisë po mundohen që të përfshijnë të gjitha kategoritë. E kuptojmë se shumat mund të mos jenë të mëdha por po mundohemi që krejt çka kemi ti japim për qytetarët tonë pa përjashtime”, ka thënë Ahmeti.