Të mërkurën (nesër) do të rinis dialogu në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë, por kësaj radhe me një takim të parë të Komisionit të Përbashkët për personat e zhdukur gjatë luftës në Kosovë.
Këtë gjë e bëri të ditur emisari i BE-së, Miroslav Lajçak, i cili tha se fokusi i këtij takimi në Bruksel do të jenë personat e zhdukur.
“Përsëri në Bruksel, fokusi i kësaj jave do të jetë te Personat e Zhdukur me takimin e parë të Komisionit të Përbashkët”, ka shkruar Lajçak.
Andin Hoti: Në Bruksel do të adresohen disa çështje të rëndësishme për personat e zhdukur
Lidhur me këtë takim që do të mbahet të mërkurën ka folur edhe kryetari i Komisionit qeveritar për personat e zhdukur, Andin Hoti.
Hoti deklaroi se takimi ka për qëllim përcaktimin e planit të punës për seancat e ardhshme.
Derisa, Hoti thotë se do të adresohen edhe disa çështje të rëndësishme.
“Takimi ka për qëllim përcaktimin e planit të punës për seancat e ardhshme, si dhe adresimin e disa çështjeve të rëndësishme për çështjen e personave të zhdukur”, tha Hoti.
Hoti potencoi se delegacioni i Kosovës do të prezantoj disa kërkesa që lidhen me arkivat.
“Delegacioni ynë do të prezantojë disa kërkesa kyçe, që ndërlidhen kryesisht me monitorimin e zbatimit të Deklaratës për Personat e Zhdukur, me fokus të veçantë në shkresën për arkivat, të cilën e kemi adresuar te Vuçiq, dhe çështje të tjera të rëndësishme në këtë fushë”, thotë Hoti për “Front Online”.
Më tej, Hoti e ka cilësuar këtë takim të parë si hap të rëndësishëm.
“Ky takim është një hap i rëndësishëm drejt zbatimit të marrëveshjes ekzistuese ‘Deklaratës për Persona të Zhdukur’ e miratuar më 2 maj 2023”, shprehet Hoti.
Komisioni i Përbashkët do të kryesohet nga Bashkimi Evropian si dhe do të mbikëqyret nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq. Sipas këtij Komiteti, janë ende 1.612 persona të pagjetur nga lufta e viteve 1998/99 në Kosovë, shumica prej tyre shqiptarë.