Komisioni i Garave për Superligën dhe Ligën e Parë në futbollin kosovar ka mbajtur mbledhjen e radhës me rastin e regjistrimit të ndeshjeve.
Pas shqyrtimit komplet të materialit të siguruar nga zyrtarët e ndeshjeve, bazuar në nenin 69 të Rregullores së Garave, si dhe dispozitave të Rregullores Disiplinore, mori vendim që ndeshja mes Ferizajit dhe Ulpianës e cila ishte ndërprerë në minutën e 94-të, të regjistrohet me rezultatin zyrtar 3-0 në favor të KF Ulpianës.
Vendimi i plotë (pa ndërhyrje):
1.Ndeshja e ndërprerë ndërmjet KF Ferizaj dhe KF Ulpiana, regjistrohet me rezultat zyrtar 3:0 në favor të KF Ulpiana.
A R S Y E T I M
Komisioni i Garave me rastin e regjistrimit të ndeshjes KF Ferizaj – KF Ulpiana, java e 23-të, Liga e parë, Grupi ”B”, pas administrimit të gjitha provave konstatoi se ndeshja është ndërprerë në minutën e 90+4, për shkak të sulmit fizik ndaj gjyqtarit kryesor të ndeshjes nga një person i paautorizuar (shikues), duke e paaftësuar për vazhdimin e ndeshjes, andaj konform nenit 58 të Rregullores së Garave, ndeshja regjistrohet me rezultat zyrtar 0:3 në favor të KF Ulpianës.