KOMF apelon tek subjektet politike të cilat janë pjesë e fushatës elektorale për zgjedhjet nacionale, që të mos i shfrytëzojnë fëmijët në kuadër të fushatës zgjedhore.
Sipas KOMF, përfshirja e fëmijëve në fushatë elektorale nga subjektet politike përbën shkelje të të drejtave të tyre, shfrytëzim, e në të njëjtën kohë nuk është në interesin më të mirë të fëmijës.
Për më tepër, përfshirja e fëmijëve në aktivitetet e fushatës zgjedhore gjatë kësaj periudhe, përbën rrezik të drejtpërdrejtë edhe për shëndetin e tyre për shkak të situatës së shkaktuar nga pandemia.
KOMF bën me dije se përfshirja e fëmijëve në fushatë zgjedhore është në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.
KOMF i bën thirrje Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të monitorojë aktivitetet e subjekteve politike dhe të ndërmarrë masat bazuar në legjislacionin në fuqi, në rastet kur konstatohet përfshirja dhe shfrytëzimi i fëmijëve.
KOMF i bën thirrje prindërve që të mos i politizojnë fëmijët, të mos i marrin fëmijët në aktivitetet të cilat organizohen nga partitë politike dhe të vetëdijësojnë fëmijët për të mos e ndërprerë procesin mësimor për qëllime të pjesëmarrjes në aktivitetet e partive politike gjatë fushatës elektorale.
KOMF i bën thirrje mediave të cilat mbulojnë fushatën zgjedhore, që të marrin një rol aktiv për publikimin e rasteve ku fëmijët shfrytëzohen për qëllime partiake gjatë fushatës elektorale, gjithmonë duke mbrojtur identitetin dhe integritetin e fëmijës.