Lemë pas një vit të mbushur me ngjarje të mëdha sportive. Kampionati Europian “Gjermani 2024” dhe Lojërat Olimpike “Paris 2024” ishin dy prej kompeticioneve që shënuan sportin botëror.
Po ashtu, 2024 ishte një vit me arritje dhe zhgënjime për kombëtaren e Shqipërisë, por edhe me rekorde historikë për sportin dhe sportistët kuqezi, shkruan abcnews.
Pasi bëri një fushatë të shkëlqyer në fazën kualifikuese, Kombëtarja e Shqipërisë mori vendin e parë në grupin e saj, duke lënë pas skuadra si Çekia dhe Polonia, për të siguruar për herë të dytë pjesëmarrjen në fazën finale të një Kampionati Evropian.
Skuadra kuqezi e drejtuar nga Sylvinho u prezantua në “Gjermani 2024” me shumë pritshmëri, por edhe vetëdijen që fati e kishte dënuar duke e vendosur në një grup ferri bashkë me Spanjën, Italinë dhe Kroacinë.
Skuadra e Sylvinhos bëri një paraqitje dinjitoze, por vetëm kaq, pasi i tha lamtumirë “Euro 2024”, duke u renditur në vendin e fundit të Grupit B, me vetëm 1 pikë, 3 gola të shënuar dhe 5 të pësuar.
Sylvinho dhe stafi i tij duhet të kenë mbajtur shënim, për të përmirësuar gjithçka në vitin e ardhshëm ku e presin sfida të mëdha duke nisur nga eliminatoret e Botërorit 2026, ku do të luajë në një grup të vështirë bashkë me Anglinë dhe Serbinë.