Kombëtarja e Kosovës në futboll, sot ka shënuar rritjen më të madhe në historinë e saj që nga pranimi në FIFA.
Dardanët në përditësimin e renditjes së FIFA-s, nga vendi 101 ka kaluar në pozitën e 99-të, që është pozicionimi më i mirë që kur Kombëtarja e Kosovës është e njohur me të drejta të plota nga shtëpia e futbollit botëror.
Dy fitore në muajin tetor, si dhe triumfi ndaj Lituanisë në nëntor në Ligën e Kombeve, e kanë bërë të mundur që një rritje e tillë të arrihet.
13 maji i vitit 2016 ishte një ditë historike për Kosovën, pasi Fadil Vokrri me delegacionin e FFK-së asokohe e anëtarësuan Kombëtaren në FIFA, 10 ditë pasi ndodhi anëtarësimi në UEFA.
E filluam nga vendi 190, për të pasur ngritje e ulje të vazhdueshme ndër vite.
Rritja më e madhe ndodhi në vitin 2018, ku u përmirësua pozita për 24 vende. 178 ishte renditja më e ulët në atë vit, teksa e përfunduam vitin në vendin e 131-të.
Që nga ai vit, rritja ka vazhduar në çdo moment, duke pasur herë pas herë ulje të vogla si shkak i rezultateve që nuk priteshin.
Renditja më e mirë që nga dita e pranimit për Kosovën u arrit më 30 nëntor të vitit 2023, duke marrë vendin e 101-të, atë që kemi pasur deri më sot në tri përditësime që nga ajo ditë.
Ky rekord u thye me përditësimin sot. Kombëtarja e Kosovës është për herë të parë në top 100 skuadrat më të mira të FIFA-s, pasi tani renditen në vendin e 99-të.
Sezoni i kënaqshëm në Ligën e Kombeve, ku përfunduam në vendin e dytë me katër fitore e dy humbje në Ligën C, ishte më meritori për këtë rritje historike.
Falë këtyre paraqitjeve të muajve të fundit, Kombëtarja e Kosovës në mars të vitit 2025 do ta ketë mundësinë që të luajë në play-off për t’u promovuar në Ligën B, ku përballë do ta ketë Islandën në dy takime.